Zgjimi prej mërzisë dhe psikoterapia – Dr. Anxhela Gramo, psikoterapiste

Duhej të kisha ardhur në terapi vite më parë, dhe më vjen keq për veten që nuk e kam bërë”. Gjithnjë e më shpesh e dëgjoj të ma thonë këtë, ata që unë takoj çdo ditë në punën time. Trishtohem bashkë me ta për shanset e munguara të së shkuarës, kryesisht mungesën e kontaktit me lirinë individuale. Gjithesesi, nuk besoj që ka dëme të pariparueshme tek çka kemi zgjedhur të na shënojë të shkuarën. Ne mbartim vetēm gjurmë ndjesish të së shkuarës, të cilat shpesh janë tjerrur prej perceptimeve dhe mendimeve të të tjerëve që kemi takuar gjatë rritjes, duke na larguar prej përjetimeve personale. Askush nga ne nuk e di sesi ka qenë e shkuara, e as kemi për ta ditur derisa të duam të mësojmë sinjalet që e tashmja përpiqet të na tregojë cdo ditë. Çdo ditë ka dicka për të na rrëfyer mbi atë që ndodhi apo mbi arsyet e asaj që nuk mundi të ndodhte dje. Çdo ditë na jep një mundësi të ndalojmë tek ajo që nuk kuptojmë mirë, ose aspak për veten; na përplas me situata të reja por me reagime ndjesish të njohura e të përsëritura; na shpërblen me ndjesi të reja për veten dhe mjedisin për të na kujtuar që nuk është asnjëherë vonë për të ndaluar tek ajo që na ka munduar shpirterisht për një kohë të gjatë.

Çdo ditë e më shumë, po zë vend e zhvillohet një mënyrë e re veprimi, ku shqiptarët zgjedhin të mos i ikin mërzisë të së tashmes, përkundrazi, ata përfshihen lehtësisht në procesin e të mësuarit për t’u vetëkujdesur për shpirtin e mendjen. Dilemat dhe tabutë për të trokitur tek një e panjohur e për të besuar tek dikush që nuk është as motra, as prindi e as shoku, janë zbehur. Vijnë të ndrojtur, ashtu sic ndihen ndaj vetes, për të kuptuar sa paragjykuese do të jem unë. Më testojnë me të drejtë që të binden se nuk po përsërisin personazhe të së shkuarës së tyre të cilët u kanë marrë frymën. Mund edhe të ndodhë që ata të vijnë me pritshmëritë për të gjetur tek unë personin që do ta drejtojë dhe diktojë në rrugën ‘e shpëtimit’. Ky është një nga rastet tipike ku pacienti, i pashpresë, largohet për të mos u kthyer më në terapi. Madje, ai as nuk e ka kuptuar se të marrësh vendime për veten është hapi i parë për ndryshim.

Më ngazëllen përkushtimi i prindërve për të mbështetur fëmijët e tyre në situata kritike tranzitore. Në përpjekje për të kuptuar fëmijën e tyre, ata iu afrohen një nga një traumave të jetës familjare e asaj në cift, e kur munden, edhe traumave të familjeve të tyre të origjinës. ‘Eh, jeta ime mbaroi, por për fëmijët jam e gatshme të bëj gjithcka’. Ky mund të jetë rasti i një nëne e cila është gati të nisë një rrugë ndryshimi me besimin qe po i shërben të birit, por në fakt, ajo sjell në terapi veten, familjen e dinamikat e saj, grupet, të cilat ndër vite kanë shënuar aspektet e saj sociale e gjithcka tjetër që trazon ekuilibrat e saj të brendshëm e që ndoshta, nuk e ka lejuar t’i japë të birit dashuri pakufi, ashtu sic ajo ka dëshiruar dhe ka besuar që ka qenë. ‘Nuk e kuptoj përse im bir ka ndryshuar kaq shumë? Unë kam bërë gjithcka për të. Pse duhet të arrijë deri këtu? Nënat, e jo më pak baballarët kanë thyer tabu, kanë mposhtur egon e tyre të brishtë, e kushedi në sa netë pa gjumë kanë numëruar ‘po sikur-et e tyre’, dhe vetëm mendimi për humbjen e fëmijës prej mosreagimit të tyre ka mjaftuar, që e nesërmja të jetë një ditë ndryshe, më e qartë dhe me e qetë.

Frika për t’u sfiduar nga personi ulur përballë teje, e për të humbur pjesëza të vetes kur përballesh me një eksperiencë terapeutike janë ndjesi të cilat gradualisht, shndërrohen në elementë të domosdoshëm të procesit të ndryshimit. Fill pas saj, ndodh që thua ‘duhej të kisha ardhur në terapi më parë, dhe më vjen mirë që vendosa ta bëj tani.’

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *