Jeta virtuale dhe izolimi emocional – Dr. Anxhela Gramo, psikoterapiste

Jo çdokujt mund t’i bëjë kuptim “izolimi” në ditët e sotme. Më saktë, izolimi kuptohet kryesisht si gjendje fizike, dhe pak ose aspak si gjendje psikologjike. Në mungesë të vëmendjes ndaj vetes, izolimi psikologjik rrezikon të mbetet një gjendje e padyshuar, e papranueshme. E, nëse dikush zgjedh të besojë atë që është më komode, jo domosdoshmërisht do të ndihet kaq i sigurtë për/në komoditetin e tij gjatë rrjedhës së jetës.

Të jetuarit përmes virtualitetit është bërë tashmë pjesë e realitetit të secilit, edhe nëse jo i vetmi realitet, shpeshherë është pikërisht ky që kuron emocionet dhe shpirtin e individit. Të ngecur fizikisht për shkak të angazhimeve jetësore, por jo vetëm këto, shtrëngojmë tabletët apo smartfonët për të mposhtur tensionet dhe ngarkesat emocionale ditore, jetësore, etj. Nga njëra anë, duket sikur përdorimi i rrjeteve sociale e ka shpëtuar njëherë e përgjithmonë njerëzimin nga gjendja e vetmisë; se tani, askush nuk mund të ndihet vetëm, përkundrazi të gjithë kanë mundësine të ridimensionojnë veten përmes të shkuarës dhe së tashmës. Nga ana tjetër ky lloj ridimensionimi social i individit përmban dhe rreziqet e tij të cilat shkaktojnë një dëm anësor apo dhe të drejtpërdrejtë në cilësinë e jetës së individit. Në realitetin virtual, shokët dhe miqtë e pamundur takojnë me njëri-tjetrin shqetësimet dhe vuatjet e tyre shpirtërore, por ndoshta jo emocionet që i kanë mbërthyer ata për shkak të këtyre gjendjeve. Pra, emocionet përcillen mes e-fjales dhe ekranit të zhveshura nga perceptimi tradicional njerëzor që shëron vetëm duke ndjerë dhimbjen si dhimbje, dashurinë si dashuri, mërzine si mërzi, dëshpërimin si dëshperim, etj. Ndaj miqtë tanë virtualë janë gjithnjë aty (pas ekranit) për ne, por edhe për vete, sepse të gjithë kemi nevojë për të gjithë dhe dimensioni virtual i këtij socializimi apo shkëmbimi emocionesh na e mundëson këte më së miri.

Ndihemi kaq të izoluar hera-herës saqë zgjedhim të shkarkojmë nëpërmjet valvolave të tilla, apo izolojmë veten deri në pikën ku refuzojmë të besojmë marrëdhënien njerëzore jo virtuale? Nevoja e njerëzve për të qenë në kontakt me botën, por jo me njerëzit, e ka tronditur potencialin emocional të individit. Akoma më tej, temperamenti, streset e jetës së përditshme, histori traumash dhe shqetësimesh, angazhimet profesionale, familjare dhe intime rëndojnë shumë më tepër në izolimin emocional të individit. Dikush zgjedh ta adresoje ketë ngarkesë emocionale përmes “kurës” virtuale, një tjetër zgjedh të rikuperoje sipas modelit të vjetër për të kuptuar ndryshe veten në praninë e tjetrit.

Media sociale duket se po ndryshon mënyrën tonë të komunikimit. Ne zgjerojmë rrjetet tona sociale nëpërmjet kontakteve të reja si dhe eksplorojmë hapësira të reja, po përmes këtyre kontakteve. Nga ana tjetër, mund dhe të themi që pikërisht për shkak të tyre, shihemi gjithnjë e më pak sy më sy mes tonë.

Anxhela Gramo, psikoterapiste ECP

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *