‘Not everything that can be counted counts, and not everything that counts can be counted’.
Zgjodha ta nis këtë shkrim me shprehjen e Albert Einstein pasi mendimet e mia po vëshonin drejt lirisë për të qenë vetvetja. Shpesh herë ajo që mund të mungojë është konteksti kohor dhe situacional që pengon sfidimin e vetes. Mirëpo le të supozojmë se veten e sprovojmë në mënyra nga më të ndryshmet dhe nga çdo betejë e vetes ne arrijmë ta njohim atë dhe të ndihemi krenarë ose jo për disa aspekte të saj. Sërisht shumë prej nesh mund ta gjejnë veten në situata ku nuk do të donin të ishin përfshirë, në debate të cilat nuk të japin asnjë fitim dhe mbi të gjitha mund të jemi duke bërë gjëra që nuk do donim t’i bënim, por i bëjmë pasi ato përmbushin pritshmëritë e prindërve, punëdhënësve, shoqërisë apo kujdo tjetër.
Ne dalim nga vetja për të kënaqur dikë tjetër, dalim nga vetja për të mbajtur mirë marrëdhëniet me të tjerët, dalim nga vetja për tu shpërblyer dhe shmangur kriticizmin, apo dalim nga vetja për një mijë e një arsye të tjera, pa marrë në konsideratë se çdo plotësim i nevojave të tjetrit është largim nga vetvetja. Kështu shqetësime të ndryshme në lidhje me shëndetin mendor nuk vijnë vetëm si rrjedhojë e situatave të pakëndshme, por mund të vijnë (madje fuqishëm) edhe nga ndodhitë e bukura si fejesa apo martesa, apo nga një ngritje në detyrë, nga hapja e një biznesi të ri apo nga ndonjë shpërngulje në tjetër qytet ose shtet për një jetë më të mirë. Përtej vështirësisë që mbartin këto tranzicione të fuqishme, fokusi i këtij shkrimi qëndron në stresin që evokojnë tranzicionet pasi përveç shqetësimeve vetjake do të duhet të mbartësh dhe shqetësimet kolektive të shoqërisë.
Pas dasmave dëgjohen më shumë komente mbi ushqimin dhe mënyrën sesi njerëzit ishin ulur, sesa urime për çiftin. Mbi shpërnguljen dëgjohen më shumë kritika dhe jepen më shumë argumente pesimiste sesa urime për mbarësi, mbi bizneset e reja përpara inkurajimit të kujtohet dështimi i sigurtë monetar, si dhe përpara se të nxisin për të fluturuar me krahët e tua të kujtojnë sesi janë krijuar ato pendë që t’i mbart duke nënvizuar ndjenjën e borxhit ndaj familjes apo fisit. Të gjithë këto element pa dyshim që janë shumë të rëndësishëm për zhvillimin dhe suksesin tonë, asnjë vlerë nuk mund t’i zbritet, por jo domosdoshmërisht çdo vlerë duhet të mbidhet, pasi në të kundërt nuk zhvillohemi dot individualisht. Patjetër që çdo vendim sikurse ka përfitimin ka dhe koston, mirëpo sa ja vlen ta shtypësh veten nga frika e kostos ndaj të tjerëve?! Të gjithë lundrojmë në ujra të panjohur, por nuk drejtojmë anije të panjohura. Prandaj anijen tonë nuk mund ta lejmë në dorë të dikujt tjetër, pavarësisht besimit që mund të kemi tek personi, pasi sekreti i lundrimit qëndron brenda nesh dhe jo çdo anije lundrohet njësoj.
Kështu që liria e të qenurit vetvetja nuk qëndron vetem në sfidimet e mëdha, por në vendimet më të vogla që ne marrim, por të cilat sjellin ndryshime të mëdha. Sikurse në shprehjen e lartpërmendur është e rëndësishmë të mbajmë parasysh se jo çdo gjë që ka vlerë mund të mblidhet sepsa na kufizon, dhe në fakt jo çdo gjë që mund të mblidhet ka vlerë, madje mund të na tjetërsojë.
MSc.Arela Çarku
Psikologe Klinike
Psikoanaliste Grupi
Sekretare e Përgjithshme-Analiza e Grupit në Shqipëri