Artikull i shkruar për Tirana Post për Ditën Ndërkombëtare të Gruas, 8 Mars 2017 – Irena Shtraza, Psikologe

Artikull i shkruar për Tirana Post për Ditën Ndërkombëtare të Gruas, 8 Mars 2017

Irena Shtraza, psikologe, psikoanaliste grupi në supervizim dhe aktiviste e shoqërisë civile për çështjet gjinore. Anëtare themeluese e Analizës së Grupit në Shqipëri.

Gratë pre të burrave të këqinj apo normave sociale të mbrapshta?

Vitet shkojnë, shoqëria zhvillohet çdo ditë, ne bëhemi dëshmitarë të ndryshimeve në çdo cep të jetës…por në këtë vendin tonë të vogël, me shumë plagë tranzicionesh e traumash (ndër shekuj) që duket sikur s’kanë ndërmend t’i ndahen kurrë, një gjë që nuk ecën me shpejtësinë që duhet është barazia mes burrave e grave. Pozitën dominuese të meshkujve në shoqërinë tonë, qasjen maskiliste që justifikon varësinë e grave nga burrat e sheh kudo, në politikë, vendimmarrje, biznes, punësim, jetë sociale, dhe sigurisht, aty ku ngjizet e gjitha – brenda mureve të shtëpive – aty ku nis jetën riprodhimi social i patriarkalizmit. Nëse ka një gjë që trondit më fort, është dhuna (të kuptohemi, dhuna s’është vetëm fizike, por edhe psiko-emocionale, seksuale, ekonomike, dixhitale apo në formë përdjekjeje) ndaj vajzave e grave kudo, por sidomos ajo në marrëdhëniet intime e familjare. Sa vajza e gra dhunohen sistematikisht nga burrat e pranishëm në jetët e tyre? Sa shumë heshtin ndaj dhunës e sa pak ngrenë kokë e marrin guximin të thonë ‘jo!’?

Por çfarë ndodh brenda mendjeve të këtyre burrave që arrijnë të dhunojnë vajzën, gruan, motrën, vartësen, kalimtaren? Pse mendojnë se s’ka asgjë të gabuar në këtë mes?

Në fakt, ka një arsyetim të gjatë pas kësaj pyetjeje, por parë në kontekstin social-kulturor dhe atë të vlerave e besimeve, mund të thuhet se burrat dhunojnë sepse besojnë vërtet se kanë autoritet mbi gruan, se kanë të drejtë ta dënojnë atë, besojnë se dhuna është e pranueshme, besojnë se mund t’ja përdorin trupin si duan, besojnë vërtet se janë më superiorë ndaj gjinisë tjetër! Me dhunë ata i tregojnë grave se janë më të fuqishëm se to, duke e përdorur dhunën si një truprojë që ruan statusin superior që i jep të qenit burrë…

Por lind pyetja, a janë të çmendur gjithë këta djem e burra që na rrethojnë, apo problemi është gjetkë? Sigurisht që asnjë burrë s’lind i dhunshëm, asnjë burrë nuk lind me idenë që gruaja duhet t’i nënshtrohet burrit… Nga ana tjetër, si dreqin kemi arritur ta bëjmë të pranueshme dhunën ndaj vajzave e grave? Si dreqin rrinë urtë gratë e nuk rebelohen, si dreqin burrat e tjerë bëjnë sehir kur një burrë tjetër masakron një grua???

Rrënjët e këtij fenomeni janë shumë më të thella, aty ku brumoset identiteti ynë social, në shoqërinë ku jemi pjesë e rritemi duke marrë doza maskiliniteti gjatë eksperiencave të përditshme jetësore. Sociologët (R.W.Connell; Stark (2010) na shpjegojnë se – modelet e pabarazisë gjinore në familje e shoqëri, pabarazitë e strukturuara në ndarjen e pushtetit në të gjitha sferat, mënyra se si ndërtohen marrëdhëniet shoqërore mes të rinjve/moshatarëve, ideologjitë kolektive dhe diskursi rreth gjinisë dhe seksualitetit, kushtet, kultura dhe normat institucionale – të gjithë këto kombinohen në një përzierje toksike që kthehet në kërcënim kolektiv për të gjitha vajzat e gratë. Këto norma sociale minojnë vetëbesimin e vajzave e grave dhe sigurinë e tyre në përditshmëri, duke u përkthyer në një ‘nevojë’ për mbikëqyrje nga burrat e duke vepruar si një formë kontrolli social mbi to. Rrjedhimisht vajzat e gratë e gjejnë veten me më pak autonomi, liri, siguri, më të stepura në tregun e punës dhe në vendimmarrje. Pasoja e rëndë e gjithë kësaj dinamike është letargjia ndaj përpjekjeve për barazi gjinore, jo vetëm nga ana e djemve e burrave, por edhe nga vetë vajzat e gratë që nuk arrijnë të ç’brendësojnë besimet e vlerat patriarkale të thithura që në foshnjëri.

Sigurisht, shumë djem e burra përfitojnë nga ky maskulinitet tradicional që riprodhohet brez pas brezi. Por nga ana tjetër, stereotipi i ‘burrit të vërtetë’ lë shumë të tjerë të zhgënjyer dhe të zemëruar kur pritshmëritë e tyre jorealiste nuk përmbushen (e dashura nuk i nënshtrohet vullnetit të tij – çfarë zhgënjimi e ç’burrërimi!). Kjo sepse të rinjtë janë pre e një presioni të madh që të përputhen me një lloj mënyre të të qenit ‘burrë’ që kërkon agresivitet, pushtet (edhe ekonomik), autoritet, sjellje me karakter seksual (kujtoni pse lindi lëvizja #metoo) apo stoicizëm (burri një herë flet!). Përpos të tjerave, u kërkon që të jenë ‘kryefamiljarë’ (si grua, kjo fjalë më ndez gjakun), përgjegjës kryesorë për mirëqenien financiare të familjes (mos ndodhtë që gruaja të fitojë më shumë së ai!).

M.Kimmel, studiues i fenomeneve të lidhura me maskulinitetin, shpjegon se mospërmbushja e pritshmërive (jorealiste) të kultivuara nga shoqëria dhe të brendësuara nga djemtë e burrat, shpesh bëhet shkas për çrregullime psiko-emocionale apo sjellje të rrezikshme sociale (sa shumë djem e burra mbushin baret e pikat e basteve të këtij vendi!).

Por, pas gjithë këtyre që rreshtova (me shumë trishtim, jua garantoj), a ka shpresë që një ditë ne vajzat e gratë të jetojmë në një shoqëri të barabartë? Në një shoqëri ku deputeti burrë nuk të vjedh karriken që të përket, ku shefi nuk të studion linjat për të parë nëse e meriton të promovohesh, ku bota e biznesit nuk të terrorizon sepse është terren burrash, ku të bësh karrierë nuk të bën nënë të keqe, ku burri që dashuron të shikon si shoqen e jetës e jo si shërbëtore, ku nuk ke frikë të dalësh natën e pashoqëruar, ku prindërit të japin në dorë librin e jo fshesën…

Që ta arrijmë këtë, na duhet akoma shumë punë. Na duhet që si shoqëri, të transformojmë nocionet e ‘burrërisë’. Nuk duam më ‘burra të vërtetë’, duam ‘burra të mirë, më të butë, më të drejtë…më në paqe me veten (sesa me shoqërinë). Kjo është një sipërmarrje e madhe, ndaj ndërhyrjet në nivel individual nuk mjaftojnë, duhet ndërhyrë në nivele të tjera, më të pushtetshme, që në çerdhe e kopshte, në çdo kontekst e sektor. Prindërit, edukatorët/et, mësuesit/et, ne psikologët e punonjësit/et socialë/e, politikëbërësit/et e vendimmarrësit/et, të gjithë jemi të nevojshëm për këtë kauzë…nuk mund ta lëmë të vazhdojë më institucionalizimi i patriarkatit… duhet të sjellim një erë tjetër, atë të barazisë!

Kalofshi një 8 Mars ndryshe, duke ju gëzuar arritjeve si vajza e gra, e duke kërkuar më me forcë atë që meritoni e ju mohohet…

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *