Mjaft më krahasove – MSc. ARILDA DUSHAJ

MSc. ARILDA DUSHAJ

Psikoterapiste Grupi

Koordinatore Anëtarësi, Analiza e Grupit në Shqipëri

Shpeshherë na ka ndodhur që prindërit tanë, familja, apo edhe mjedisi social të na përfshijë në krahasime të vazhdueshme me persona të tjerë. Që foshnje, prindërit përdorin krahasimin e fëmijës së tyre me të tjerë, si stimulues pozitiv në të veshur, në të ushqyer apo në sjellje. Kështu, dëgjojmë nënat të shprehen: “Haje të keqen nëna, shikoje gocën e vogël ta kaloi”, teksa përpiqen të ushqejnë fëmijën e tyre. Më pas fëmija rritet dhe ekzistojnë modele të tjera krahasimi, duke u fokusuar në arritjet akademike, në talentet e fëmijës apo edhe në performancën sociale. Shprehi të tilla si: “Çfarë note more në provim?- 10. Po shoku yt çfarë mori?”, “Pse nuk arrin dot të jesh e shkathët si vëllai yt?!”, “Vajza e fqinjës X mori pjesë në olimpiadën e matematikës, po ti pse nuk je dot si ajo?” apo “Pse nuk mund të jesh sociale ashtu si ka qenë motra jote?”, janë shumë të zakonshme teksa rritesh.

Mbështetur në këto krahasime që të bëhen, merr mesazhin që ekziston gjithmonë dikush i cili ka aftësi më të mira, është më i shkathët, më i zgjuar, më social apo më i talentuar se ty. Kështu, lufton për të arritur këto ideale të krijuara nga krahasimi ndër vite, dhe përpiqesh ti realizosh ato me çdo kusht, pa  njohur dhe pa kuptuar kapacitetin vetjak, dëshirat dhe qëllimet jetësore. Madje, krahasimi bëhet stil vetjak i të funksionuarit, duke e përdorur si një matës të arritjeve apo dështimeve në jetë, duke humbur kështu vetveten, unikalitetin dhe identitetin vetjak. Pra, nëse merr aftësitë e personave të tjerë dhe i krahason me dobësitë e vetes, si mund të përparosh në jetë dhe si mund të vlerësosh veten? Sa mundësi ka që të ndihemi mirë nëse vetëm krahasohemi me të tjerët? Krahasimi nuk është gjë tjetër vetëm një recetë drejt vetëvlerësimit të ulët dhe mungesës së lumturisë.

Çdo krahasim i bërë ndaj fëmijëve ndikon negativisht në mirëqenien e tyre psikologjike dhe sociale. Nëse ka gjithmonë të tjerë që sillen apo i arrijnë gjërat më mirë se ai, fëmija fillon të besojë se nuk është mjaftueshmërisht i mirë dhe vë në pikëpyetje vlerat e tij. Ata mund të fillojnë të mendojnë pse nuk arrijnë dot rezultatet, ashtu si fëmijët e tjerë me të cilët janë krahasuar duke dyshuar mbi aftësitë e tyre. Ky vetë-dyshim ndikon në një vlerësim të ulët të vetes dhe në besimin se janë të paaftë për të arrirë disa gjëra të caktuara. Rrjedhimisht, në një nivel të lartë stresi për fëmijën,  i cili ndikon në mirëqenien psikike të tij.

Më lejoni t’jua demonstroj me shembuj personal ndikimin e krahasimit që fëmijë dhe instalimin e kësaj skeme thellë në identitet edhe gjatë jetës. Mua më kanë krahasuar në mënyrë direkte dhe indirekte me vëllain tim, përsa i përket arritjeve akademike. Pyetja klishe dhe shumë e parashikueshme e të gjithë personave që njihja dhe atyre që sapo i njihja ishte: “Si po të shkon shkolla? Po mëson si… (theksonin emrin e vëllait)?” Ai ka qenë ekselent dhe si rrjedhojë mendjet sociale presupozonin se unë nuk do bëja përjashtim. Mirëpo, ndonëse mund ta kem mohuar apo minimizuar pasojat e këtij krahasimi, eksperienca e mëvonshme akademike thekson të kundërtën. Kjo sepse, të qënit e arrirë apo me rezultate të larta ishte kusht personal dhe njësova aftësitë e mia me rezultatet akademike. Ku edhe nëntat që merrja ishin tmerriii vetë!!

Një nga shpjegimet që personalisht më është dhënë për krahasimin e bërë nga prindërit ndaj rezultateve akademike ishte rritja e sensit të konkurrencës, e cila më pas do ndikonte pozitivisht në ambicie apo në motivim. Shpjegim, i cili kundërshton në çdo fjalë vetveten. “Të motivosh fëmijën, duke e shkatërruar së brendshmi” apo “Të rrisësh ambiciet te fëmija për të qenë më i mirë, duke i theksuar vazhdimisht sa i dobët është”, nuk kontribuon në një individ të arrirë dhe të lumtur.

Krahasimi është hajduti i gëzimit”– ka thënë Roosevelt. Prandaj, prindër të dashur vlerësoni unikalitetin e fëmijës tuaj, vlerësoni aftësitë e tyre, gëzohuni me arritjet e tyre pa pasur nevojë t’i matni ato me të tjerët. Thjesht, besoni në fëmijën tuaj dhe lëreni të lirë!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *