Një hap përpara, dy mbrapa… – MSc.Arela Çarku

Qëndroj e ulur në një kafene pranë fakultetit dhe rri e vëzhgoj studentë që më vrullshëm futen nëpër kafene sesa nëpër auditore. Teksa i vëzhgoj dhe i shoh që hedhin hapa përpara, mendoj që njëkohësisht po ecin dhe mbrapa. Madje do thoja më shumë hapa bëhen mbrapa dhe kjo disi vërehet nga entuziazmi i të qenurit në kafene dhe nga adrenalina e të lënit e leksioneve. Po unë çfarë po bëj këtu ? Të njejtën gjë sikurse bashkëmoshatarët e mi. Po shijoj një kafe të mirë dhe i jam arratisur një ore leksioni. Sikurse ata dhe unë mendoj që s’kam humbur ndonjë gjë të madhe. Duket ironike, por kjo është një e vertetë e sistemit tonë i cili predikon lirinë e studentit por ndëshkon mendimin e lirë.

Kjo gjë s’më duket e panjohur. Në fakt kujtoj këtu fëmijërinë e vonë ku gjithë gëzim prisja të shkoja në shkollë. Ja pra hodha një hap përpara drejt zhvillimit tim dhe aty u përballa me pyetje të tilla si: Më thuaj mendimin tënd për këtë gjë? Hë si mendon nga se ka dalur ky rezultat? Dhe unë ngrihesha dhe thoja mendimin tim. Përgjigja ishte: Ulu, e the gabim. Nuk është kjo gjë. Mundësisht më jepnin dhe ndonjë vleresim negativ mbrapa: Ulu aty, ke 4 për sot. Ti gjasme sikur mëson, se prisja këtë gjë nga ti. E përse nuk e prisje nga mua?! Por t’i më thoje që do mendimin e xhaxhit apo zonjës X dhe unë kisha kënaq pritshmëritë e tua. Ja pra që këtu nisin hapat nga mbrapa. Hapa të cilat mbartin hijen e zhgenjimit, e vetvlersimit të ulët, e stepjes, e ambicjes boshe dhe të një konkurence të pakuptimtë me disa standarte fikse. E si mundem unë të zhvilloj mendimet e mia, kur më kërkohen të mësoj përmendësh mendimet dhe gjetjet e dikujt tjetër. Si mundem unë të zhvilloj një identitet timin kur që në fëmijëri më mësohet ndjekja e një ideali dhe kornizave fikse.

Më e bukura është se teksa rritesh gjithmonë je në përpjekje për të zhvilluar veten tënde. Hapat përpara vijojnë dhe besimi për një të ardhme më të mirë është gjithmonë brenda teje. Mirëpo, në momentet më të vështira dëgjon shprehje të tilla si : Askush nuk do të ngjitet në kurriz, nëse ti nuk përkulesh ! Unë jam dakort me këtë gjë, por a nuk është paksa vonë dhe kurrizi im është përkulur që në momentet kur më ke krahasur me të tjerë, që kur më the se mendimi im është gabim, që kur më paragjykove prej adrenalinës së adoleshencës dhe e gjykon lirinë si fyese të standarteve sociale. Tashmë unë jam bërë pjesë e teatrit të jetës dhe nuk mund të qëndroj thjesht spektator sepse do paguaj për shfaqjen, të paktën luaj ndonjë rol dhe paguhem. Kështu unë shoh rininë e sotme teksa mbush faqet e rrjeteve sociale me kërkesa për punë, ndonëse kanë mbaruar universitete. I shoh teksa mbushin karriget e Call Center pasi realisht fitohet më shumë sesa nga një pseudo punë prej shkollës së marrë. Lexoj me mijra komente nëpër linket e emigracionit dhe mijra lutje që të dalë Llotaria Amerikane. Kot nuk thonë secili për veten dhe Zoti për të gjithë.

Të ecësh me hapa përpara këtu tek ne, më jep të njejtën ndjesi si nëpër ëndrra ku sa më shumë do të ecësh vrap apo të arrish diku sikur mezor ecën, apo rrëzohesh dhe nuk arrin dot në dentinacion. Në endrra nuk e di pse më ndodh kështu, por në realitet më kërkojnë eksperiencë pune porsa kam mbaruar shkollën, më kërkojë çertifikime e trajnime që në moshën 22 vjeçare, vendosin disa standarte praktike ku realisht nëpër fakultete praktika ka emigruar përpara meje dhe teoria flet nëpër ëndrra. Edhe pse titullin e këtij shkrimi e kam vendosur “Një hap përpara, dy hapa mbrapa”, ndonjëherë ( për të mos thëne shpesh-herë) këtu tek ne është: “Një hap përpa, dy mbrapa dhe numëro në vend”.

MSc.Arela Çarku

Psikologe Klinike

Psikoanaliste Grupi

Sekretare e Përgjithshme-Analiza e Grupit në Shqipëri

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *