megjithatë po ashtu dua edhe Tiranën edhe pse e shoh duke lënguar e ngërthyer nën kthetrat e çmendurisë njerëzore. Ne gjasme duke Ndërtuar, në një mënyrë kaq të spikatur mazokiste, kemi Shkatërruar hapësirën ku jetojmë, cilësinë e jetës tonë.
Hapësira dhe koha, dy dimensione që na rrinë mbi kokë si shpata e Damokleut, gati për të zbritur sapo të humbasim ritmin e njërës prej tyre. Ky me sa duket është trishtërisht gjithë thelbi i jetëve tona. Më pas ka vetëm përgjumje, humbje, shuarje, edhe pse jo domosdoshmërisht mirëfilli fizike.
Duke u vërtitur nëpër rrugët e Tiranës, lehtësisht të lind ndjesia e mbytjes dhe e të mbyllurit, ku je i detyruar të qëndrosh duke reflektuar mbi atë forcë madhore të padukshme, të pakapshme dhe të papërceptueshme që të mban aty. Pikërisht është po ajo forcë që ka përgatitur këtë ambjent, në këtë mënyrë dhe duhet t’i jesh mirënjohëse sepse bën të mundur që ti të kesh përqendrimin e gjithçkaje që të duhet, në distancën më të vogël të mundshme dhe me harxhimin më të pakët të kohës tonë të vyer. Nuk di sa e sigurtë jam që po JETOJ brenda këtyre dimensioneve, me atë vrapin e marrosur të frenezisë urbane për kushedi se ku.
Më intereson më së shumti këtu dimensioni i parë ai hapësinor, në kuptimin e parë, në atë fizik. Sido që të orientohem dhe kudo që të jem në qytet, nuk gjej një pamje të kënaqshme ku të prehem dhe të mund të gjej frymëzim. Pastaj shoh një lokal të bukur me një sistem akuariumi që kushedi se si e kanë bërë, që ai ujë të rrjedhë dhe të duket si të jesh në Valbonë. Ajo kafe mbaron shpejt dhe prapë kthehem tek ‘e përbashkëta’ që kemi ndërtuar e vazhdojmë të ndërtojmë e pushtojmë me aq babëzi e sadizëm si të ishte shtëpia e armikut. Rreth e rrotull vallëzojnë në mënyrë përqeshëse krijesa mastodontike që më kujtojnë lojën e maces me miun. Pastaj ndonjëherë ngre kokën lart dhe shquaj gjigantët imponentë të kullave, të ngurosur në atë pakuptimshmërinë dhe paidentitetin e tyre të çmendur që thonë “unë jam aaaaq i madh, prandaj rroj dhe do të rroj në jetë të jetëve”. Aty nis dialogu dhe përgjigjem “ndoshta do të përpiqesha të pranoja ashtu siç je por si fillim do të doja të di se çfarë ti je. Çfarë je ti për veten tënde dhe çfarë je për mua dhe të tjerët?”
Natyrisht ai nuk ka një përgjigje për pyetjen time përveçse një shpjegim të bazuar në antivlerat e kësaj shoqërie. Duket sikur ai armiku-antivlerë brenda vetes tonë na ka çuar në një mënyrë a në një tjetër, ta pranojmë dhe të kontribuojmë në këtë realitet, si ajo bretkosa fillimisht e vendosur në tenxhere me ujë të ftohtë, që duke ngritur temperaturën ujit gradualisht. shkon në pikën ku ngordh por nuk kërcen të dalë nga ena. Pikërisht, Antivlera lulëzon dhe vallëzon në ndërgjegjen dhe në subkoshiencën tonë sociale dhe me arrogancën e saj të ushqyer me limfën vitale të jetëve tona, na përqesh e na ngërdheshet duke u tallur me impotencën tonë. Aty fantazia merr pushtetin me epërsi dhe imagjinoj një figurë, një entitet po aq të madh ku mund të ushqehet idealizmi im, ku mund të frymëzohen sfidat e të përditshmes, ku mund të kumtohet njëfarësoj ekzistenca, identiteti i këtij qyteti. Aty kuptoj që vetëm fantazia më ka mbetur si mekanizëm mbrojtës ndaj agresivitetit të Pushtuesit të hapësirës së qytetit. Mblidhem, rrudhosem, krruspullosem edhe më shumë, kur shoh një nënë me fëmijën e saj në karrocë që nuk gjen rrugë për të kaluar, kur shoh një të moshuar që i mbushen sytë me lot kur i mban derën hapur që të kalojë, kur shoh në fytyrën e një fëmije t’i ndërpritet spontaniteti i moshës nga ankthi i rrezikut të topit të përfunduar në rrugë, kur shoh dy kalimtarë në një trotuar më pak se njëkalimësh, të sfidojnë njëri-tjetrin në heshtje se kush do ta pushtojë i pari atë shteg për të kaluar dhe të vendosë hegjemoninë e tij ditëshkurtër. Ndërsa vazhdoj të endem e hutuar në atë konfuzion duke thyer këmbët nëpër trotuaret e qytetit që të duken më shumë si monopate mali, kuptoj që ai realitet po reflektohet brenda vetes duke ‘thyer këmbët’ në introspektivën e mendimeve. Përpiqem t’i rezistoj tundimit për ta krahasuar me qytete të tjera por në mënyrë moskokëçarëse më imponohet të endurit në qytetin e lashtë të Romës, kur shkel ato shkallaret e konsumuara të mermerta dhe imagjinoj sa e sa këmbë kanë shkelur mbi to, sa histori të lashtë mbartin, sa shumë dëshmojnë. E kush e ka parë dhe nuk e ka dashuruar qytetin e përjetshëm?! E megjithatë po ashtu dua edhe Tiranën edhe pse e shoh duke lënguar e ngërthyer nën kthetrat e çmendurisë njerëzore. Ne gjasme duke Ndërtuar, në një mënyrë kaq të spikatur mazokiste, kemi Shkatërruar hapësirën ku jetojmë, cilësinë e jetës tonë.
Befas, diku në një qoshe të humbur të qytetit, shoh atë që ka mbetur nga një ndërtesë, si një e moshuar në pragun e derës në diellin e mëngjesit. Një ndërtesë e vjetër, e keqkatandisur nga koha por që akoma ruan trajtat e hijshme të rinisë së saj. Duket sikur gjen një xhevahir të groposur dhe ndërsa e rrotullon herë-herë rrëzëllen në mes të papastërtisë. Mbi të gjitha shquaj fisnikërinë, përkorësinë e saj edhe në mënyrën se si qëndron duke iu këndërvënë delirit të madhështisë që e rrethon jashtë hapësirës së saj. Ato çaste ndjej një shtysë të parezistueshme ta hap atë derën e madhe prej druri të vjetër dhe në majë të gishtave të hyj brenda e të prehem, të integroj copëzat e mia të shkaktuara nga fragmentizimi që imponon shoqëria urbane. Më pas ftillohem dhe kuptoj që është pikërisht ajo dëshira ime të kthehem 100 vjet pas në kohë, që më mbron nga ai copëzim. Kështu vazhdoj ta ëndërroj qytetin me xhevahiret e shpluhurosura, të rindërtuara e të ndriçuara, duke dëshmuar për origjinën, identitetin dhe rrënjët e tij dhe duke i reflektuar ato harmonishëm në jetët e banorëve të tij.
Ermira Hila, Këshilli Drejtues i AGSH (Analiza e Grupit në Shqipëri)
Tiranë më, 6 shkurt 2018