“Revolucioni Flamingo” dhe potenciali transformues i grupit

Çfarë po ndodh me lëvizjen protestuese të muajit qershor në vendin tonë është, në një farë mënyre, demonstrim i një prej parimeve bazë të psikoterapisë grup-analitike. Ajo që Grup Analiza bën, e thënë në mënyrën më të thjeshtë, është të krijojë një hapësirë fizike dhe mendore për një grup njerëzish dhe t’u japë mundësinë atyre të kenë ndjesinë dhe vetëdijen që janë ata vetë agjenti i ndryshimit dhe jo domosdoshmërisht terapisti (lideri) i grupit.

Parë nga ky këndvështrim grup-analitik i thjeshtuar, që do të thotë jo sociologjik, jo politik, por terapeutik dhe nga një distancë emocionale, e nevojshme për të pasur një mendim të qartë, kjo protestë mbart një efekt mjaft terapeutik për psikikën e dëmtuar të popullit tonë. Pikërisht sepse çdokush mund të dëshmojë që ky grup i madh njerëzish arrin të funksionojë shumë më mirë, më në harmoni dhe bashkërendim pa praninë dhe nevojën për një lider. Nuk ka dhunë, nuk ka regres në impulse shkatërruese, nuk ka kaos. Ka përgjegjshmëri, dëgjueshmëri dhe një lidhje të padukshme mes individëve, jo vetëm mes atyre që shkojnë e takohen në shesh e marshim, por edhe atyre që ndodhen kudo ku zgjedhin ose nuk e kanë lirinë e zgjedhjes të jenë.

A janë të gjithë njësoj? A ndihen të gjithë njësoj të përfaqësuar nga parullat dhe gjuha e protestës? Sigurisht që jo! Kjo është më e bukura; në të njëjtën hapësirë fizike dhe mendore që krijon ai grup i madh njerëzish ka vend si për thirrjen e bërtitur me zemërim e revoltë, duartrokitjen si në stadium, ashtu edhe për atë si në një koncert violine, edhe për brohoritjen e ngazëllyer e me kërcim ala party apo after party; ka vend si për ata që iu pëlqen zhurma, edhe për ata që nuk e duan ndotjen akustike; si për ata që duan të shihen, edhe për ata që duan të shohin e kuptojnë. Secili gjen zërin e vet në pankartën e vet për aq kohë, sa ky zë është i tolerueshëm, i dëgjueshëm apo, në rastin më të mirë, gjithëpërfshirës e rezonues.

Ky është thelbi i të ndjerit pjesë e një grupi, një tipar i qenies sociale gati i harruar në psikikën e shoqërisë sonë për shumë e shumë arsye: të ndiesh se përket edhe pse ndryshe. Ndryshe, por bashkë.

Foulkes, autori i Grup Analizës, thotë:

“Ndryshimi ndodh nga proceset ndërvepruese mes anëtarëve të një grupi kohë përpara se ato procese të bëhen të vetëdijshme. Sa më shumë punë bën një grup, dhe sa më shumë ajo vjen nga brenda, aq më efektive dhe bindëse është, aq më pak autoritare është. Grupet e ashtuquajtura ‘leaderless’ – pa drejtues janë grupe pa ndonjë detyrë specifike, por puna e tyre kryesore është të krijojnë një kulturë grupi në të cilën grupi merr përsipër përgjegjësinë e drejtimit të çështjeve të veta.”

Sigurisht që kjo duket shumë e vështirë të kuptohet nga një mendje pak ose aspak psikologjike, e indoktrinuar nga mendësia e “liderit suprem” dhe “turmës”. E, për pasojë, fantazia që pas një organizimi të tillë qëndron dikush a diçka misterioze është shprehje e një rezistence për zhvillim e për të pranuar fuqinë transformuese të një grupi të madh njerëzish që udhëhiqen së brendshmi e mes vetes, ndryshe nga ç’është ngulitur thellë, shumë thellë në psikikën tonë, ideja e një ‘udhëheqësi të pavdekshëm’ apo një ‘shpëtimtari të huaj’.

Patrick de Mare, një tjetër grup-analist i cili e konsideronte ‘grupin e madh’ si një mikrokozmos të shoqërisë që ndihmon për të transformuar ndjenjën e armiqësisë në ndjenjë miqësie dhe përkatësie, sugjeron:

“Strukturat e një hierarkie të tepërt mund t’ia hapin rrugën sistemeve të vetërregullimit të bazuara në marrëdhënie bashkëpunuese dhe afruese. Thoughtfulness is a slow process; it is citizenship in the making.

Një grup i tillë njerëzish, që janë bërë pjesë e kësaj lëvizjeje të parë të këtij lloji, sigurisht që nuk mund të ketë përgjigje për pyetjet e rëndësishme apo zgjidhje të çështjeve madhore e globale që ngrihen aty, por ia ka dalë të krijojë një terren fantastik dhe gati-gati të pamenduar se do të ndodhte ndonjëherë, të potencialit për ndryshim dhe të menduarit në grup. Ky grup rrezaton një proces organik zhvillimi të brendshëm dhe sens vetëreflektimi, një tjetër tipar i harruar i shoqërisë sonë përkundrejt idesë fikse ‘ne nuk do bëhemi kurrë’.

Ky potencial mund dhe duhet të vazhdojë të ushqehet nga secili prej nesh, duke nisur me punën që bëjmë përditë si profesionistë të vendosur për ta bërë mirë, deri te zgjedhja për ta hedhur copën e letrës në rrugë apo për ta futur në xhep. A mjafton një muaj apo disa muaj për një proces të tillë? Sigurisht që jo, por duhet vazhduar.

Sonila Meçaj
Psychotherapist, ECP holder, Groupanalyst