Frika e lirisë në grup – Ermira Hila

Si një laborator i vetë shoqërisë, grupi shpalos në miniaturë të pavetëdijshmen tonë shoqërore përmes reagimeve dhe qëndrimeve tona aty brenda, të ngërthyer mes frikërave, pasigurive por edhe kuriozitetit dhe dëshirës për t’u përmirësuar

A na frikësojnë grupet?”, është një tematikë e disa grupeve eksperienciale që po zhvillohen prej disa kohësh në Tiranë. Më shumë se sa një pyetje, tingëllon si një sfidë, sidomos për kontekstin e shoqërisë shqiptare. Një shoqëri që për një çerek shekulli po përpiqet akoma të ushqehet me rendin e ri të demokracisë, por që vazhdon të përpëlitet mes fantazmave të diktaturës më të egër komuniste dhe jo vetëm.

Në grup nuk është e lehtë të jesh. Vetë brezi i ri e ka të vështirë të jetë dhe natyrshëm lind pyetja ‘Pse?’. Prindërit dhe gjyshërit e tyre e dinë mirë ç’do të thotë të jetosh në ato kushte ku mbizotëronte kolektivizmi dhe shuhej individi, ku ata duhet të ishin pjesë e çdo lloj grupi të mundshëm, duhet të identifikoheshin aty që t’i shpëtonin përsekutimit dhe mbi të gjitha të nderonin dhe të adhuronin liderin e çdo grupi pa asnjë shans sindikimi. Ai regjim shkatërroi kohezionin e rrjetit social, duke armiqësuar njërin kundër tjetrit në gjithë shoqërinë, në një kurth sa paranoiak aq edhe sadist. Me qindra e mijëra jetë njerëzish u flijuan nën thundrën e çmendurisë njerëzore. Në një mënyrë a në një tjetër u flijuan të gjithë shqiptarët pa përjashtim; diku më shumë e diku më pak, diku në heshtje apo diku publikisht, dikë duke e shndërruar në viktimë e dikë në agresor. Gjurmët e atyre traumave kanë mbetur më shumë në të pavetëdijshmen tonë sociale sesa në vetëdijen tonë. Nuk duam t’i flasim, nuk duam t’i rikujtojmë dhe vazhdojmë të pluskojmë në një iluzion fëminor që na bën të besojmë se po të heshtim, ndoshta do të mund të shlyhen. Ajo diktaturë pushkatoi humanizmin e shoqërisë shqiptare, e cila nuk pati kurrë shansin ta jetonte dhe ta integronte në brendësi të vetëdijes së saj shoqërore.

Sot ne vazhdojmë të mbartim me vete gjithë ato trauma shoqërore që i përcjell e pandërgjegjshmja jonë sociale. Nuk e dimë tamam se si. Dhe ja ku jemi sot duke tërhequr akoma zvarrë fantazmën e kultit të individit, ku edhe në ato eksperienca të të qënit në grup ne vazhdojmë të kërkojmë drejtuesin e situatës, strukturën e programit etj, etj. Pa ato ne ndihemi të hutuar, pa një qëllim, pa një kumt, pa një kuptim. Nuk dimë si të jemi thjeshtë si qënie njerëzore mes të ngjashmëve tanë, ku mund të ndash një botë të tërë me ta dhe të mund të ndihesh më pak vetëm. Nuk dimë të përdorim më atë që na është dhënë që kur lindëm, lirinë. Lirinë për të qënë ashtu siç jemi, lirinë për të shprehur veten tonë me ato çfarë mbart brenda saj, pa i kërkuar askujt ‘leje’, të jesh siç dëshiron të jesh.

Të gjitha këto shfaqen qartë në dinamikat e grupit. Si një laborator i vetë shoqërisë, grupi shpalos në miniaturë të pavetëdijshmen tonë shoqërore përmes reagimeve dhe qëndrimeve tona aty brenda, të ngërthyer mes frikërave dhe pasigurive. Sa duhet të hapem? A do më lëndojë grupi? Po unë a do e lëndoj grupin? Çfarë do marr këtu? Çfarë do jap këtu? Sa do mund të jem vetvetja? Sa do më lejojnë të jem vetvetja? A do më pranojë grupi? Sa do më vlejë mua gjithë ky strapacim?, Sa do mund të jem unë i vlefshëm për grupin? etj, etj.

Teksa ai grup të rinjsh rri i ngurosur para murit të rezistencës, para vetes së vet, të vjen në mendje ‘Bukuroshja e fjetur’ që pret të zgjohet nga princi kalorës apo ndoshta edhe Rozafa jonë që flijon veten që të mund të garantojë vazhdimësinë e vetë jetës.

Në fakt specialistët e grup analizës e kanë konstatuar me kohë se si traumat e papërpunuara, të varrosura në ndërgjegjen e thellë, të mosthënat që bëhen tabú brenda familjeve, transmetohen automatikisht në brezat që vijnë duke u bërë burim patologjish nga më të ndryshme, që nga ato të mirëfillta psiqike në sistemin nervor, në mendje apo në shpirt, por edhe ato psikosomatike, ku sëmundja nervore transpozicionohet në organe të tjera të trupit.

Nga ana tjetër fatmirësisht të rinjtë duan të eksperimentojnë të renë, të kenë vizione të reja, të emancipohen përtej kufijve të ngurtë të prindërve të tyre, të imponuar nga çmenduria kolektive dhe të mund të përjetojnë e të jetojnë një mënyrë më të mirë të të qëni në shoqëri. Rinia shqiptare po përpiqet të gjejë shtigje të reja për të rekuperuar ato energji jetësore që deri dje i përthithte e kaluara. Ajo dëshiron të rimarrë kohën e humbur ndoshta edhe duke kapërcyer etapat. Të rinjtë po fillojnë të mësojnë që grupi në fillim të tremb. Aty nisin të ngrihen akuza e kundërakuza, ngrihen gishta tregues inkuizitorë, sulme, përplasje, tërheqje, pendesë. Dalëngadalë grupi kalon në fazën tjetër ku fillon e toleron tjetrin me gjithë defektet e tij, sepse tjetri është pjesë e pandashme e grupit dhe ndoshta në fund të fundit nuk është dhe aq i keq sa e kishte menduar. Mendon se ai ka arsyet e tij për të qenë ashtu siç është dhe secili ka arsyet e veta në të mirë dhe në të keq, për të qenë ashtu siç është. Kjo është faza e tolerancës dhe pranimit duke u proçesuar kështu deri në kohezionin e grupit. Kështu ai hyn në një dimension tjetër, merr një tjetër domethënie psikologjike për individin, merr një rëndësi jetike. Vetë Foulkes-i, themeluesi i metodës së Analizës së Grupit, aspironte në shpërndarjen e saj në shoqërinë njerëzore, i sigurtë se do të mund ta përmirësonte atë. Të rinjtë po fillojnë ta kuptojnë që kjo risi sjell atë ndryshimin thelbësor brenda tyre, që më shumë se një çertifikatë mbi karton, që për hir të së vërtetës edhe ajo vlen ndërkombëtarisht, përmban vlerën e një kapitali njerëzor të investuar në mënyrë permanente në veten e tyre.

Ermira Hila, Këshilli Drejtues i AGSH (Analiza e Grupit në Shqipëri)

Tiranë me 28 mars 2018

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *