MSc. ARILDA DUSHAJ
Psikoterapiste Grupi
Koordinatore Anëtarësi, Analiza e Grupit në Shqipëri
Teksa po mendoja se çfarë të ndaja sot me ju, kuptova që po përjetoja presion nga nevoja ime për të bërë përshtypje me këtë shkrim. Por ndaj kujt po e ndjeja këtë nevojë? Ndoshta, presion për të ruajtur imazhin e njëvajze të aftë dhe të arrirë, e cila në çdo detyre apo aktivitet që ka kontribuar ka pasur sukses. Ndërkohë, harroj se sa e lodhshme dhe frustruese është të performosh, kjo sepse realisht unë shtyp veten, ndjenjat, emocionet dhe mendimet e mia, duke u munduar të krijoj diçka të pëlqyeshme për të tjerët. Dhe sa ekziston mundësia që kjo të ndodhë?Apo çfarë çmimi duhet të paguajë dikush për këtë?
Me gjithçka të lartpërmendur i referohem të ashtuquajturave maska të jetës së përditshme, që gjithësecili prej nesh i përdor për të mbuluar ndjesitë, emocionet, mendimet, nevojat, frikërat personale, në mënyrë që të pranohet nga shoqëria. Nevoja për tu pranuar nga grupet shoqërore rrit ankthin e performancës, prandaj e gjejmë veten duke u sjellë gjithnjë e më shumë larg natyrës sonë dhe duke shtypur gjithnjë e më shumë stresin që përjetojmë. Si për shembull, nëse ndihemi të pasigurt në vete, mund të fshihemi pas maskës të të qenit indiferent, nëse ndjejmë që mjedisi rrethues nuk na do mund të fshihemi pas një maske zemërimi. Ne maskojmë borxhet që marrim për të mbuluar stilin e jetës që nuk e përballojmë dot, sillemi sikur kemi punën ideale edhe pse nuk jemi të kënaqur aty, hiqemi sikur kemi një martesë të shëndetshme edhe nëse jemi në prag të divorcit.
Këto maska janë unike dhe të ndryshme te çdo individ në varësi të karakterit, kushteve sociale, grupeve që bëjmë pjesë apo konteksteve në të cilat zhvillohemi. Në këtë mënyrë sillemi ndyshe nga ajo çfarë ndjejmë ose mendojmë, duke mohuar dhe shtypur veten tonë reale, identitetin tonë, vetëm për tu pranuar nga mjedisi social. Një mjedis që vepron sipas disa standarteve ideale në të kuptuarin e dualitetit “sjellje e përshtatshme përkundrejt asaj jo e përshtatshme”, “çfarë është e drejtë kundrejt çfarë është e gabuar”, apo “çfarë është morale ose jo”. Stresi që përjetojmë nga shtypja e ndjenjave si rezultat i këtyre kushtëzimeve, ka impakt të fuqishëm tek mirëqenia jonë fizike dhe mendore, kjo pasi ndikon drejtpërsëdrejti te balancat hormonale të organizmit tonë dhe si rrjedhojë bëhet shkaktar potencial i shumë sëmundjeve mendore dhe fizike. Kështu, duke mohuar ndjenjat apo emocionet dhe duke vepruar në mënyrë të pranueshme për shoqërinë, trupi ynë gjen gjuhën e komunikimit nëpërmjet ankthit, stresit dhe frustrimit.
Të heqësh maskën kërkon guxim dhe një nga frikërat më të mëdha është të qënit i ekspozuar ndaj të tjerëve. Pra frika se nëse tregojmë veten tonë reale dhe bota do të thoshte: “Oh qenke vetëm ti!“. Kur në të vërtetë, të jesh vetvetja është gjëja më e drejtë, më e bukur dhe më përfekte që mund të ekzistojë. Ashtu siç ka thënë edhe Oscar Wilde: “Be YOURSELF, everyone else is taken.”