Ne jemi të huaj ndaj vetvetes, ne që arrijmë të njohim gjithçka, nuk njohim vetveten, dhe kjo ka një shkak të rëndësishëm. Ne biem në kurth. Në kurthin e gjykimit dhe përgjithësimit !
Shoqëria e ditëve të sotme po orientohet gjithnjë e më shumë drejt pavarsisë personale. Synon largimin e parimit kolektiv dhe po përpiqet të zhvillohet brenda potencialeve vetjake. Mirëpo, çdo hap personal shoqërohet nga hapat e shumta të hijeve shoqërore, dhe çdo vendim i zbatuar pasohet nga gjykimet ndërshoqërore (familja, fisi, lagja dhe me shumë mundësi edhe nga persona që nuk të njohin aspak). Ti komentohesh, unë komentohem dhe bashkarisht pohojmë me indiferentizëm që : “ Nuk ka rëndësi së çfarë mendojnë të tjerët për mua”!
Sa më pëlqen ky pohim. Më pëlqen toni me të cilin shqiptohet, më tërheq mimika e cila e shoqëron dhe mbi të gjitha më kënaq postura plot vetbesim që shfaqet. Por tek ky pohim, të gjithë ne harrojmë të lexojmë atë që ndjehet. Mua më pëlqen ta përkufizoj si gjuha e harruar. E quaj të tillë sepse të gjithë ne harrojmë të pyesim apo të shprehim sesi ndihemi kur na komentojnë, sesi ai koment mund të ketë ndikuar në ndjenjat tona, në imazhin tonë për veten apo edhe në vetëvlerësimin tonë.
Kështu postura, mimika, toni dhe mundësisht edhe buzëqeshja me indiferentizëm shpërthejnë haptazi duke thënë “Mjaft”. Në të njejtën kohë kërkojnë edhe të kuptojnë “ Përse”. Pikërisht këtu biem në kurthin e përemrin pronor (Ne). Ky përemer na bashkon dhe na grupon në kategorinë e të komentuarve, si për mirë ashtu edhe për keq. Na etiketon dhe na kategorizon. Mirëpo, si qënie egoiste ne synojmë ti shpëtojmë këtij fenomeni (sidomos kur gjykimi është për keq) dhe kështu bashkohemi me grupet në të cilat besojmë se i përkasim dhe luftojmë për të mbajtur të fortë imazhin tonë për veten. Sepse për ne është bëre e zakonshme ta perceptojmë veten tonë me sytë e njerëzve që na rrethojnë. Kështu, duke dashur t’i shpëtojmë gjykimeve ne luftojmë për ndryshimin e gjykimit. Mendojmë se po ndryshojmë, por në fakt biem në kurthin e shoqërisë. Ne bëhemi ata dhe ata bëhen ne.
Më lejoni të përdor veten si shembull dhe të ju them se nga një shpirt rebel u shndërrova në një patriote të rregullave sociale. Energjia ime, dëshira për eksplorim, nevoja për adrenalinë u gjykuan dhe komentuan nën termin popullor “ Çapkëne ”. Indiferentizmi im nuk mundi t’i rezistonte pyetjeve të tilla si Përse të më gjykojnë? Çfarë kam unë? Kështu, sjellja ime u orientua drej vërtetimit se ata e kishin gabim dhe fytyra më buzëqeshte teksa mendoja: “ Le të më komentojnë tani po ia mbajti”.
Mirëpo, ndaj kujt po fitoja unë? Ndaj askujt. Në fakt po humbisja dhe pranoj që humba shumë. Humba spontanitetin, zëvendësova kuriozitetin me frustrimin, mërzia zuri më shumë vend se gëzimi dhe nervat dolën jashtë kontrollit. Treni i acarimit doli nga shinat dhe jeta e përditshme u kthye në stres. Stresi të rraskapit dhe vetëm atëherë kuptova që mbi të gjitha unë humba një pjesë të vetes. A ia vlen kjo gjë?
Unë kam nevoj të njoh veten. Kështu unë nuk e njoh dot veten, madje dëmtohem. Ashtu si unë, dëmtohesh edhe ti. Sepse sikurse unë rash në kurthin e përemrit pronor “Ne” mund të biesh edhe ti duke u shkrirë dhe bërë një me shoqërinë. Mund të zgjedhësh dhe të izolohesh apo dhe t’i kundërvihesh, por më beso sërisht je në kurth. Ne nuk mund të luftojmë në këtë mënyrë me shoqërinë sepse ne jemi terësia. Jeta është një dukuri e tërë, bashkësi e pandashme dhe ne s’mund të jemi ndryshe.
Le të mësojmë të dëgjojmë njeri-tjetrin. Të flasim, kuptojmë dhe pranojmë nevojat tona. Ta njohim forcën tonë dhe të mos e përdorim atë si burim shkatarrues, por si fuqizues. Mendja e shëndoshë nuk kërkon vetëm një trup të shëndoshë, por edhe një funksionim të mirë shoqëror.
Pranoni vetveten dhe provoni të vishni këpucët e njëri-tjetrit. Mund të jetë shumë më e lehtë të dëgjosh sesa të gjykosh !
Psikologe Klinike
Psikoanaliste Grupi