Zgjimi prej mërzisë dhe psikoterapia – Dr. Anxhela Gramo, psikoterapiste

Duhej të kisha ardhur në terapi vite më parë, dhe më vjen keq për veten që nuk e kam bërë”. Gjithnjë e më shpesh e dëgjoj të ma thonë këtë, ata që unë takoj çdo ditë në punën time. Trishtohem bashkë me ta për shanset e munguara të së shkuarës, kryesisht mungesën e kontaktit me lirinë individuale. Gjithesesi, nuk besoj që ka dëme të pariparueshme tek çka kemi zgjedhur të na shënojë të shkuarën. Ne mbartim vetēm gjurmë ndjesish të së shkuarës, të cilat shpesh janë tjerrur prej perceptimeve dhe mendimeve të të tjerëve që kemi takuar gjatë rritjes, duke na larguar prej përjetimeve personale. Askush nga ne nuk e di sesi ka qenë e shkuara, e as kemi për ta ditur derisa të duam të mësojmë sinjalet që e tashmja përpiqet të na tregojë cdo ditë. Çdo ditë ka dicka për të na rrëfyer mbi atë që ndodhi apo mbi arsyet e asaj që nuk mundi të ndodhte dje. Çdo ditë na jep një mundësi të ndalojmë tek ajo që nuk kuptojmë mirë, ose aspak për veten; na përplas me situata të reja por me reagime ndjesish të njohura e të përsëritura; na shpërblen me ndjesi të reja për veten dhe mjedisin për të na kujtuar që nuk është asnjëherë vonë për të ndaluar tek ajo që na ka munduar shpirterisht për një kohë të gjatë.

Çdo ditë e më shumë, po zë vend e zhvillohet një mënyrë e re veprimi, ku shqiptarët zgjedhin të mos i ikin mërzisë të së tashmes, përkundrazi, ata përfshihen lehtësisht në procesin e të mësuarit për t’u vetëkujdesur për shpirtin e mendjen. Dilemat dhe tabutë për të trokitur tek një e panjohur e për të besuar tek dikush që nuk është as motra, as prindi e as shoku, janë zbehur. Vijnë të ndrojtur, ashtu sic ndihen ndaj vetes, për të kuptuar sa paragjykuese do të jem unë. Më testojnë me të drejtë që të binden se nuk po përsërisin personazhe të së shkuarës së tyre të cilët u kanë marrë frymën. Mund edhe të ndodhë që ata të vijnë me pritshmëritë për të gjetur tek unë personin që do ta drejtojë dhe diktojë në rrugën ‘e shpëtimit’. Ky është një nga rastet tipike ku pacienti, i pashpresë, largohet për të mos u kthyer më në terapi. Madje, ai as nuk e ka kuptuar se të marrësh vendime për veten është hapi i parë për ndryshim.

Më ngazëllen përkushtimi i prindërve për të mbështetur fëmijët e tyre në situata kritike tranzitore. Në përpjekje për të kuptuar fëmijën e tyre, ata iu afrohen një nga një traumave të jetës familjare e asaj në cift, e kur munden, edhe traumave të familjeve të tyre të origjinës. ‘Eh, jeta ime mbaroi, por për fëmijët jam e gatshme të bëj gjithcka’. Ky mund të jetë rasti i një nëne e cila është gati të nisë një rrugë ndryshimi me besimin qe po i shërben të birit, por në fakt, ajo sjell në terapi veten, familjen e dinamikat e saj, grupet, të cilat ndër vite kanë shënuar aspektet e saj sociale e gjithcka tjetër që trazon ekuilibrat e saj të brendshëm e që ndoshta, nuk e ka lejuar t’i japë të birit dashuri pakufi, ashtu sic ajo ka dëshiruar dhe ka besuar që ka qenë. ‘Nuk e kuptoj përse im bir ka ndryshuar kaq shumë? Unë kam bërë gjithcka për të. Pse duhet të arrijë deri këtu? Nënat, e jo më pak baballarët kanë thyer tabu, kanë mposhtur egon e tyre të brishtë, e kushedi në sa netë pa gjumë kanë numëruar ‘po sikur-et e tyre’, dhe vetëm mendimi për humbjen e fëmijës prej mosreagimit të tyre ka mjaftuar, që e nesërmja të jetë një ditë ndryshe, më e qartë dhe me e qetë.

Frika për t’u sfiduar nga personi ulur përballë teje, e për të humbur pjesëza të vetes kur përballesh me një eksperiencë terapeutike janë ndjesi të cilat gradualisht, shndërrohen në elementë të domosdoshëm të procesit të ndryshimit. Fill pas saj, ndodh që thua ‘duhej të kisha ardhur në terapi më parë, dhe më vjen mirë që vendosa ta bëj tani.’

Tirana përtej topografisë, në një version ndryshe – Ermira Hila

megjithatë po ashtu dua edhe Tiranën edhe pse e shoh duke lënguar e ngërthyer nën kthetrat e çmendurisë njerëzore. Ne gjasme duke Ndërtuar, në një mënyrë kaq të spikatur mazokiste, kemi Shkatërruar hapësirën ku jetojmë, cilësinë e jetës tonë.

Hapësira dhe koha, dy dimensione që na rrinë mbi kokë si shpata e Damokleut, gati për të zbritur sapo të humbasim ritmin e njërës prej tyre. Ky me sa duket është trishtërisht gjithë thelbi i jetëve tona. Më pas ka vetëm përgjumje, humbje, shuarje, edhe pse jo domosdoshmërisht mirëfilli fizike.

Duke u vërtitur nëpër rrugët e Tiranës, lehtësisht të lind ndjesia e mbytjes dhe e të mbyllurit, ku je i detyruar të qëndrosh duke reflektuar mbi atë forcë madhore të padukshme, të pakapshme dhe të papërceptueshme që të mban aty. Pikërisht është po ajo forcë që ka përgatitur këtë ambjent, në këtë mënyrë dhe duhet t’i jesh mirënjohëse sepse bën të mundur që ti të kesh përqendrimin e gjithçkaje që të duhet, në distancën më të vogël të mundshme dhe me harxhimin më të pakët të kohës tonë të vyer. Nuk di sa e sigurtë jam që po JETOJ brenda këtyre dimensioneve, me atë vrapin e marrosur të frenezisë urbane për kushedi se ku.

Më intereson më së shumti këtu dimensioni i parë ai hapësinor, në kuptimin e parë, në atë fizik. Sido që të orientohem dhe kudo që të jem në qytet, nuk gjej një pamje të kënaqshme ku të prehem dhe të mund të gjej frymëzim. Pastaj shoh një lokal të bukur me një sistem akuariumi që kushedi se si e kanë bërë, që ai ujë të rrjedhë dhe të duket si të jesh në Valbonë. Ajo kafe mbaron shpejt dhe prapë kthehem tek ‘e përbashkëta’ që kemi ndërtuar e vazhdojmë të ndërtojmë e pushtojmë me aq babëzi e sadizëm si të ishte shtëpia e armikut. Rreth e rrotull vallëzojnë në mënyrë përqeshëse krijesa mastodontike që më kujtojnë lojën e maces me miun. Pastaj ndonjëherë ngre kokën lart dhe shquaj gjigantët imponentë të kullave, të ngurosur në atë pakuptimshmërinë dhe paidentitetin e tyre të çmendur që thonë “unë jam aaaaq i madh, prandaj rroj dhe do të rroj në jetë të jetëve”.  Aty nis dialogu dhe përgjigjem “ndoshta do të përpiqesha të pranoja ashtu siç je por si fillim do të doja të di se çfarë ti je. Çfarë je ti për veten tënde dhe çfarë je për mua dhe të tjerët?”

Natyrisht ai nuk ka një përgjigje për pyetjen time përveçse një shpjegim të bazuar në antivlerat e kësaj shoqërie. Duket sikur ai armiku-antivlerë brenda vetes tonë na ka çuar në një mënyrë a në një tjetër, ta pranojmë dhe të kontribuojmë në këtë realitet, si ajo bretkosa fillimisht e vendosur në tenxhere me ujë të ftohtë, që duke ngritur temperaturën ujit gradualisht. shkon në pikën ku ngordh por nuk kërcen të dalë nga ena. Pikërisht, Antivlera lulëzon dhe vallëzon në ndërgjegjen dhe në subkoshiencën tonë sociale dhe me arrogancën e saj të ushqyer me limfën vitale të jetëve tona, na përqesh e na ngërdheshet duke u tallur me impotencën tonë. Aty fantazia merr pushtetin me epërsi dhe imagjinoj një figurë, një entitet po aq të madh ku mund të ushqehet idealizmi im, ku mund të frymëzohen sfidat e të përditshmes, ku mund të kumtohet njëfarësoj ekzistenca, identiteti i këtij qyteti. Aty kuptoj që vetëm fantazia më ka mbetur si mekanizëm mbrojtës ndaj agresivitetit të Pushtuesit të hapësirës së qytetit. Mblidhem, rrudhosem, krruspullosem edhe më shumë, kur shoh një nënë me fëmijën e saj në karrocë që nuk gjen rrugë për të kaluar, kur shoh një të moshuar që i mbushen sytë me lot kur i mban derën hapur që të kalojë, kur shoh në fytyrën e një fëmije t’i ndërpritet spontaniteti i moshës nga ankthi i rrezikut të topit të përfunduar në rrugë, kur shoh dy kalimtarë në një trotuar më pak se njëkalimësh, të sfidojnë njëri-tjetrin në heshtje se kush do ta pushtojë i pari atë shteg për të kaluar dhe të vendosë hegjemoninë e tij ditëshkurtër. Ndërsa vazhdoj të endem e hutuar në atë konfuzion duke thyer këmbët nëpër trotuaret e qytetit që të duken më shumë si monopate mali, kuptoj që ai realitet po reflektohet brenda vetes duke ‘thyer këmbët’ në introspektivën e mendimeve. Përpiqem t’i rezistoj tundimit për ta krahasuar me qytete të tjera por në mënyrë moskokëçarëse më imponohet të endurit në qytetin e lashtë të Romës, kur shkel ato shkallaret e konsumuara të mermerta dhe imagjinoj sa e sa këmbë kanë shkelur mbi to, sa histori të lashtë mbartin, sa shumë dëshmojnë. E kush e ka parë dhe nuk e ka dashuruar qytetin e përjetshëm?! E megjithatë po ashtu dua edhe Tiranën edhe pse e shoh duke lënguar e ngërthyer nën kthetrat e çmendurisë njerëzore. Ne gjasme duke Ndërtuar, në një mënyrë kaq të spikatur mazokiste, kemi Shkatërruar hapësirën ku jetojmë, cilësinë e jetës tonë.

Befas, diku në një qoshe të humbur të qytetit, shoh atë që ka mbetur nga një ndërtesë, si një e moshuar në pragun e derës në diellin e mëngjesit. Një ndërtesë e vjetër, e keqkatandisur nga koha por që akoma ruan trajtat e hijshme të rinisë së saj. Duket sikur gjen një xhevahir të groposur dhe ndërsa e rrotullon herë-herë rrëzëllen në mes të papastërtisë. Mbi të gjitha shquaj fisnikërinë, përkorësinë e saj edhe në mënyrën se si qëndron duke iu këndërvënë delirit të madhështisë që e rrethon jashtë hapësirës së saj. Ato çaste ndjej një shtysë të parezistueshme ta hap atë derën e madhe prej druri të vjetër dhe në majë të gishtave të hyj brenda e të prehem, të integroj copëzat e mia të shkaktuara nga fragmentizimi që imponon shoqëria urbane. Më pas ftillohem dhe kuptoj që është pikërisht ajo dëshira ime të kthehem 100 vjet pas në kohë, që më mbron nga ai copëzim. Kështu vazhdoj ta ëndërroj qytetin me xhevahiret e shpluhurosura, të rindërtuara e të ndriçuara, duke dëshmuar për origjinën, identitetin dhe rrënjët e tij dhe duke i reflektuar ato harmonishëm në jetët e banorëve të tij. 

Ermira Hila, Këshilli Drejtues i AGSH (Analiza e Grupit në Shqipëri)

Tiranë më, 6 shkurt 2018

Shoqëria, bashkëfajtore në krim – Ermira Hila

Shoqëria jonë jo vetëm që nuk i ka dhënë një emër të veçantë kësaj që po ndodh mes nesh por duket sikur as nuk do që ta shohë e ta trajtojë atë. Jeta e femrës po shndërrohet gjithnjë e më shumë në ushqim për instiktet më primitive të mashkullit, pikërisht të atij që është i deputuar që ta mbrojë dhe të përkujdeset për të. Statistikat ulërasin me shifra si të ishin buletin lufte. Ku i ka rrënjët kjo mendësi perverse e trajtimit të femrës si një pronë? Femra vazhdon të jetë një kosh ku mashkulli mund të hedhë të gjitha ‘mbeturinat e tij njerëzore’ duke mos harruar të hedhë edhe veten brenda tij. Gruaja vazhdon të jetë si ai ‘gomari i huazuar i cili mbart shumë dhe ha pak’. Nga njëra anë jemi të aftë të bashkëjetojmë edhe me fenë e huaj të shokut/mikut/komshiut dhe i japim mend edhe botës për këtë, por nga ana tjetër qenka kaq e vështirë të bashkëjetohet me gjysmën e shoqërisë, feminilitetin, me të cilin ndahet deri edhe shtrati. Nga vjen ky sadizëm për të asgjësuar femrën? Sot atë e ka mbërthyer dualizmi i ligjit të xhunglës; të mbijetojë në vetminë e saj nga ku mund të dalë e asgjësuar ose vrasëse e agresorit të saj (dhe nuk janë të pakta rastet).

Xhuljeta e kishte paralajmëruar vrasjen e saj por ligji nuk e mbronte dot as të paktën me një urdhër mbrojtjeje, sepse ajo nuk kishte as status për t’u vrarë. Nëse në absurditet do të kishte një sens kjo situatë, atëherë ligji do t’i thoshte asaj ‘ti nuk je e denjë as për t’u vrarë’. Sarkazma përshkon tragjeditë brenda tragjedive si në një lojë matrioskash që nuk di se kur dhe ku do përfundojë. Ndihem e impresionuar se si po trajtohet ky fenomen nga opinioni i përgjithshëm. Një pjesë e grave dhe vajzave tona po përçudnohet çdo ditë e më shumë dhe ne pikë së pari dhe më së shumti fajin e gjejmë tek varfëria dhe varësia. Le të imagjinojmë pak se çfarë ka ndodhur me ato gra në ato marrëdhënie destruktive në të cilat janë gjetur. Duket sikur momenti përfundimtar tragjik i vrasjes ka qenë po aq edhe epik. Duhet të ketë qenë ‘përmbyllja e një ferri mbi tokë’ për ato gra, nëna, vajza.

Në fakt në rastin kur kishte mbetur tek vajza akoma një fije shprese te shoqëria njerëzore, ajo ka shkuar dhe ka denoncuar në polici, përveç faktit që e gjitha ka mbetur një veprim i pavlerë, sepse rregullat e shoqërisë tonë nuk ia njohin asaj të drejtën të ‘ngre krye’ mbi një ish-të dashur. Duket sikur duan t’i thonë ‘ti je vetë fajtore, duhet vetëm të kesh turp e jo më të rebelohesh’. Ligji nuk pranon zona gri për marrëdhënie të padefinuara. Përcaktimi i tyre ka prioritet edhe para vetë jetës. ‘Je vetë ti që vure jetën tënde në rrezik, përndryshe ligji do të të kishte mbrojtur’.

Gjithë ky sadizëm përzier me obsesion, si një deja vu, sjell në mendje edhe nënën Parti të sistemit totalitar, që për ironi të fatit në këndvështrimin gjuhësor edhe emrin e kishte femëror. Ajo ia arriti të denatyralizonte shumëçka të natyrës njerëzore në përpjekjen e bjerrë për ta dominuar atë. Kjo shoqëri vazhdon ta denatyralizojë esencën njerëzore. Po ashtu edhe omnipotenca mashkullore mendon se mund të bëjë ç’të dojë me femrën sepse ndihet ‘e mandatuar’ që në hershmërinë e kohërave nga gjyshërit e stërgjyshërit e saj me në krye ‘kanunin e Lek Dukagjinit’ e deri te ligji i sotëm që e përkëdhel me ndëshkueshmëri qesharake në proporcion me dëmin që bën, përfshirë këtu edhe ‘z. Maliq’, siç do të thoshte Çajupi, që bën një sy qorr dhe një vesh shurdh në vend që të dimensionojë ashtu siç duhet veprën penale.

Absurd është fakti që as kanuni nuk do ta linte pré të agresorit vajzën që jep alarmin duke kërkuar ndihmë. Ndërsa ‘kanuni aktual’ thotë që vajza e pazyrtarizuar në marrëdhënie në çift, nuk ka nevojë për mbrojtje sepse ajo nuk ka pse të dalë nga kjo korniza e bjerrë e këtij kategorizimi. Ajo në këto terma, thjeshtë nuk mund as të ekzistojë. Nuk di se çfarë u ka kaluar nëpër mend legjislatorëve tanë, çuditërisht kaq obsesivisht puritanë do guxoja të thoja, kur kanë përpiluar dhe miratuar këtë ligj. Arkaizmi, regresioni, dëshmojnë kundër evoluimit të pretenduar të shoqërisë tonë që mbart akoma në vetëdijen e saj shumë trauma sociale.

E pra unë ndihem e turpëruar, e zemëruar, fajtore, ndërsa mbaj zi për ato jetë të shkuara dëm nga çmenduria mashkullore. Ndihem edhe më keq akoma kur po i shfajësojmë ata meshkuj nëpërmjet petkut të varfërisë apo të varësisë. Në terma juridike kjo i bie të jetë bashkëfajtorësi në krim. Fatmirësisht ekziston rezilienca që dëshmojnë të gjithë ata burra që strapacohen çdo ditë për bukën e gojës së familjes por që në darkë prehen dhe ripërtërihen pranë familjes edhe pse brenda vetes mbajnë një mal me brenga e me halle.

Ndjesia e shmangjes më bën të iki nga e kaluara dhe e tashmja me një fije shprese për të gjetur shpëtim tek e ardhmja. Aty, në atë dimension janë duke pritur fëmijët që asistuan pafajshmërisht këto tragjedi. Ku duhet te identifikohen ata? Vuajtjet e tyre do të projektohen te bashkëmoshatarët, te bashkëshortët, te fëmijët e tyre. Kështu zinxhiri ndërbrezor fatkeqësisht do të garantojë transmetimin e traumave brez pas brezi. Ato shenjojnë në mënyrë të pashlyeshme jo vetëm epiqendrën e ngjarjes por edhe nivelet e ndryshme të traumës si në një vizion rrathësh të pafundmë koncentrikë. Ndikimi i këtyre traumave kapërcen kufinjtë kohorë dhe hapësinorë si një bombë atomike sociale, ku sa më afër të kesh qenë në momentin e shpërthimit aq më shumë do ta ndjesh mbi lëkurë e aq më shumë do të duhet të vuash prej saj. Ajo tenton të bëhet tabù dhe ndërkohë shoqëron përditshmërinë e viktimës si një hije e heshtur duke i thithur vitalitetin. Mundësia e përpunimit të atyre vuajtjeve bëhet jetike që viktimat të mund integrojë brenda vetes traumën.

Këtu të gjithë jemi fajtorë. Këto janë tragjedi të paralajmëruara, kanë një prolog të gjatë në një skenë me shumë sy e veshë por pa gojë e pa dëshirë për të vepruar e ndihmuar. Që nga komshia që do të thoshte ‘ç’më duhet mua të ngatërrohem?!’. Apo edhe më keq ‘hë mo se ajo e la për një tjetër’. Apo prindërit e saj që thonë ‘ti ke dalë njëherë nga kjo derë’, ‘unë nuk rrit fëmijët e atij’, ‘është turp të ndahesh nga burri! Ç’do të thotë bota?!’

Të gjitha ato femra kanë jetuar mes të tjerëve ku të gjithë e dinin dhe askush nuk bënte asgjë për t’i ndihmuar. E gjithë shoqëria është bashkëfajtore në krim dhe unë nuk dua të jem pjesë e këtij turpi social.

Ermira Hila

Tiranë, qershor 2018

Le të inkurajojmë gjuhën e emocioneve! – Olta Tuholi

Kur të dhëmb “shpirti’ ose “mëndja” është ndryshe nga dhimbja fizike. Trupi, apo ajo që prekim, është më familjar për ne se sa ajo që nuk shohim. Jemi mësuar të ankohemi me njëri tjetrin për dhimbjet fizike dhe shpeshëherë identifikohemi me dhimbjen apo simptomat e tjetrit duke bërë kështu të mundur që në disa raste edhe ta gjejmë vetë një zgjidhje, qoftë edhe popullore, në shtëpi. Duke qënë se gjatë gjithë historikut të civilizimit jemi të mësuar të shprehemi për shqetësime në lidhje me dhimbjen fizike, e kundërta ndodh kur vjen momenti për tu shprehur, dhe si rrjedhojë për të kërkuar ndihmë, kur përjetojmë shqetësime emocionale. 

Po, është fakt që jemi mësuar me atë që plot krenari e quajmë “edukatën e mjekut”, dhe shkojmë tek doktori menjëherë sapo kemi një të ftohur, madje edhe qortohemi nga shokë apo të afërm kur refuzojmë të bëjmë ndryshe, por kur ora vjen për të shkuar tek psikologu/terapisti apo tek “dokori i mendjes” atëherë hasim në veshë shurdhë dhe sy qorr. Indiferentizimi vesh tiparet e fytyrës së të afërmëve tanë të pasuara ndonjëherë edhe nga pasthirrma hutimi apo habie. “Aha, nuk mendoja që paska shkuar puna deri këtu”, shprehet nje nënë pasi dëgjon vajzën e saj apo një bashkëshort kur dëgjon vendimin e gruas për të kërkuar ndihmë, a thua sikur “këtu” e “aty” të jenë disa hapësira boshe ne ajër, disa tullumbace të fryra që i merr era vetë nëse janë pa litarë. 

Pa trokitur ende ne derën e terapistit individi ndjen paragjykim dhe përjashtim dhe nuk e ndjen veten të barabartë me ata të cilët shkojnë tek mjekët “e tjerë” në spital. Dhe i/e pyetur se nga po vjen ndërkohë që takon një mik rrugës për në shtëpi përgjigja natyrshëm, si një implus mbrojtës rezulton në gënjeshtër: “Isha në spital pasi kam mamanë pa qef”.

Në këtë mënyrë jetojmë me muaj, vite pranë atij që e quajmë mikun tonë më të mirë apo  partnerë që mendojmë se i njohim aq shumë pa ditur ndërkohë takimin javor që ata kanë tek terapisti. Ky standart i dyfishtë jetese përbën një nga karakteristikat e para që pacientët sjellin ne zyrë; atë të mos u pranuarit për atë që ata janë. Shpesh ndodh që simptomat që i kanë sjellë ata aty kalojnë në një rëndësi të dytë. 

Lumturia si concept mund të marrë kuptime të shumëfshta. Bota moderne ka nxjerrë modele te ndryshme të saj të cilat ne jemi në mënyrë të vazhdueshme duke i introjektuar në zgjedhjet e jetës së përditshme. Përkujdesja apo “higjena” e shëndetit mendor është një ndër këto modele, por si mund të flasim për mirëqënie të shëndetit mendor pa edukuar më parë brezat e rinj, dhe jo vetëm, mbi kontributin e gjithësecilit në këtë process. 

Një koleg i imi dikur më ka thënë “Do na duhet të çelim programe specifike psiko – sociale në shkolla për nënat e reja pasi neurozat kanë një origjinë mjaft të hershme”. 

Duke reflektuar sot mbi cfarë kolegu im ka thënë, arrij të kuptoj sadopak kendvështimin ndaj shëndetit mendor midis kulturës tonë dhe atyre me të zhvilluara. Pra, le të inkurajojmë vajtjen tek terapisti dhe psikologu ashtu siç kurajojme vajtjen tek mjeku. “Mund të të kaloj në të ftohur kronike nëse nuk shkon tek doktori”, i themi shpesh të afërmve tanë. Të njëjtin inkurajim mund t’i japim edhe atyre që janë në kërkim të shërbimit të “mendjes”. Bëje sa më shpejt vizitën tek terapisti pasi edhe mendja edhe shpirti rrezikojnë të marrin të ftohur kronike nëse nuk marrin shërbimin e duhur.

Nuk ka vetëm një mënyrë për të folur mbi shëndetin mendor – Olta Tuholi

Prej disa javësh jetoj në Milano, ku kureshtare, midis të tjerave, mbi shëndetin mendor jam munduar të observoj veçanërisht qëndrimin e individëve ndaj këtij fenomeni. Mund të them që deri më tani nuk e kam ndjerë prezencën e shëndetit mendor të paraqitur në një formë të izoluar institucionalizimi duke bërë, si rrjedhojë, që problematikat e saj të jenë të vështira për tu identifikuar. Në vënd të glorifikimit të spitaleve psikiatrikë dhe fshehjes së individëve që vuajnë mbrapa mureve të tyre, vihet re harmoni midis individëve në shoqëri pamvarësisht kushteve psikologjike apo fizike të së tashmes. Në një mënyrë apo tjetrën, realitetin e problemeve të shëndetit mendor këtu e gjen kudo pasi duket sikur njerëzit nuk tremben prej saj e, për pasojë, ato nuk janë [domosdoshmërisht] për tu fshehur.  Sapo futem në metro shoh reklama të shpeshta në lidhje më shfaqje apo ekspozita të shumëllojshme mbi gjëndjet emocionale dhe psikologjike tek individi. Tema si psikopatologjitë, surrealizmi i ëndrrave, depresioni, ankthi e të tjera duket sikur janë pjesë e gjuhës së përditshme. Vendos të shkoj e të shoh shfaqjen monolog ne teatër mbi pikturën e Edvart Munch “The Scream”. Kjo pikturë është tepër e njohur për influencën që ka patur në zgjerimin e kuptimeve dhe njohurive mbi konceptin e ankthit. Ankthi është një fenomen tepër i përhapur, simptomat e së cilës shpeshëherë anashkalohen nga individët që vuajnë nga to. 

Për një orë të tërë gjatë shfaqjes aktori si edhe regjisori i saj na mbërthen me një tekst egzistencial nga ku papritur dëgjohet ajo, e “thirrura”, e ardhur si pasojë e mërzisë së madhe, e vetmisë së individit edhe pse mes njerëzve, dhe e frikës së të ndjerit ndryshe nga të tjerët pikërisht prej pasojave që ajo sjell. 

Pamvarësisht qytetit ku jetojmë simptomat e ankthit e të tjera, janë universale; ndryshimi qëndron se si një shoqëri apo tjetra reagon ndaj tyre. Mbi të gjitha, rol mjaft të rëndësishëm ndaj mirëkuptimit si edhe pranimit të  gjëndjeve të ndryshme [nga tonat] psikologjike ka edhe edukimi ndaj subjektit në fjalë. Ndoshta në kulturën tonë, fenomeni i shëndetit mendor merret aq shumë seriozisht, i veshur me ngjyrime të tepërta akademike dhe institucionale saqë kthehet padashur në tabu. Në këtë mënyrë, individi mund të mendojë që vuan nga “diçka” tepër serioze për aq kohë sa nuk gjen mënyra interpretimi alternative. 

Gjëndjet e shëndetit mendor nëse trajtohen si raste të “veçanta” dhe të izoluara rrezikojnë të kthehen vetvetiu në problem. Një pacient më është shprehur dikur që sapo shoqëria mori vesh që ai vuan nga simptomat e ankthit filluan ta “shohin” apo trajtojnë ndryshe duke evituar rregullisht batutat apo situatat e të qeshurave. “Do doja të më trajtonin si gjithë të tjerët dhe jo me mëshirë”, shprehet ai. 

Ndoshta mund të fillojmë të  flasim dhe mendojmë rreth shëndetit mendor në mënyra të ndryshme, duke i vënë rëndësi më tepër komunikimit të tij si një karakteristikë e jetës së përditshme. Një mënyrë kreative komunikimi mund të jetë ai nëpërmjet artit. Në fund të shfaqjes së Munch mund të shihje lehtësim ne sytë e pjesmarrësve; ata ishin të tensionuar dhe me pikëpyetje por dhe të lehtësuar si mbas mbarimit të një stuhie apo sikur sapo kishin dalë nga zyra e terapistit.

Vetja në kornizë – MSc.Arela Çarku

Not everything that can be counted counts, and not everything that counts can be counted’.

Zgjodha ta nis këtë shkrim me shprehjen e Albert Einstein pasi mendimet e mia po vëshonin drejt lirisë për të qenë vetvetja. Shpesh herë ajo që mund të mungojë është konteksti kohor dhe situacional që pengon sfidimin e vetes. Mirëpo le të supozojmë se veten e sprovojmë në mënyra nga më të ndryshmet dhe nga çdo betejë e vetes ne arrijmë ta njohim atë dhe të ndihemi krenarë ose jo për disa aspekte të saj. Sërisht shumë prej nesh mund ta gjejnë veten në situata ku nuk do të donin të ishin përfshirë, në debate të cilat nuk të japin asnjë fitim dhe mbi të gjitha mund të jemi duke bërë gjëra që nuk do donim t’i bënim, por i bëjmë pasi ato përmbushin pritshmëritë e prindërve, punëdhënësve, shoqërisë apo kujdo tjetër.

Ne dalim nga vetja për të kënaqur dikë tjetër, dalim nga vetja për të mbajtur mirë marrëdhëniet me të tjerët, dalim nga vetja për tu shpërblyer dhe shmangur kriticizmin, apo dalim nga vetja për një mijë e një arsye të tjera, pa marrë në konsideratë se çdo plotësim i nevojave të tjetrit është largim nga vetvetja. Kështu shqetësime të ndryshme në lidhje me shëndetin mendor nuk vijnë vetëm si rrjedhojë e situatave të pakëndshme, por mund të vijnë (madje fuqishëm) edhe nga ndodhitë e bukura si fejesa apo martesa, apo nga një ngritje në detyrë, nga hapja e një biznesi të ri apo nga ndonjë shpërngulje në tjetër qytet ose shtet për një jetë më të mirë. Përtej vështirësisë që mbartin këto tranzicione të fuqishme, fokusi i këtij shkrimi qëndron në stresin që evokojnë tranzicionet pasi përveç shqetësimeve vetjake do të duhet të mbartësh dhe shqetësimet kolektive të shoqërisë.

Pas dasmave dëgjohen më shumë komente mbi ushqimin dhe mënyrën sesi njerëzit ishin ulur, sesa urime për çiftin. Mbi shpërnguljen dëgjohen më shumë kritika dhe jepen më shumë argumente pesimiste sesa urime për mbarësi, mbi bizneset e reja përpara inkurajimit të kujtohet dështimi i sigurtë monetar, si dhe përpara se të nxisin për të fluturuar me krahët e tua të kujtojnë sesi janë krijuar ato pendë që t’i mbart duke nënvizuar ndjenjën e borxhit ndaj familjes apo fisit. Të gjithë këto element pa dyshim që janë shumë të rëndësishëm për zhvillimin dhe suksesin tonë, asnjë vlerë nuk mund t’i zbritet, por jo domosdoshmërisht çdo vlerë duhet të mbidhet, pasi në të kundërt nuk zhvillohemi dot individualisht. Patjetër që çdo vendim sikurse ka përfitimin ka dhe koston, mirëpo sa ja vlen ta shtypësh veten nga frika e kostos ndaj të tjerëve?! Të gjithë lundrojmë në ujra të panjohur, por nuk drejtojmë anije të panjohura. Prandaj anijen tonë nuk mund ta lejmë në dorë të dikujt tjetër, pavarësisht besimit që mund të kemi tek personi, pasi sekreti i lundrimit qëndron brenda nesh dhe jo çdo anije lundrohet njësoj.

Kështu që liria e të qenurit vetvetja nuk qëndron vetem në sfidimet e mëdha, por në vendimet më të vogla që ne marrim, por të cilat sjellin ndryshime të mëdha. Sikurse në shprehjen e lartpërmendur është e rëndësishmë të mbajmë parasysh se jo çdo gjë që ka vlerë mund të mblidhet sepsa na kufizon, dhe në fakt jo çdo gjë që mund të mblidhet ka vlerë, madje mund të na tjetërsojë.

MSc.Arela Çarku

Psikologe Klinike

Psikoanaliste Grupi

Sekretare e Përgjithshme-Analiza e Grupit në Shqipëri

Jeta virtuale dhe izolimi emocional – Dr. Anxhela Gramo, psikoterapiste

Jo çdokujt mund t’i bëjë kuptim “izolimi” në ditët e sotme. Më saktë, izolimi kuptohet kryesisht si gjendje fizike, dhe pak ose aspak si gjendje psikologjike. Në mungesë të vëmendjes ndaj vetes, izolimi psikologjik rrezikon të mbetet një gjendje e padyshuar, e papranueshme. E, nëse dikush zgjedh të besojë atë që është më komode, jo domosdoshmërisht do të ndihet kaq i sigurtë për/në komoditetin e tij gjatë rrjedhës së jetës.

Të jetuarit përmes virtualitetit është bërë tashmë pjesë e realitetit të secilit, edhe nëse jo i vetmi realitet, shpeshherë është pikërisht ky që kuron emocionet dhe shpirtin e individit. Të ngecur fizikisht për shkak të angazhimeve jetësore, por jo vetëm këto, shtrëngojmë tabletët apo smartfonët për të mposhtur tensionet dhe ngarkesat emocionale ditore, jetësore, etj. Nga njëra anë, duket sikur përdorimi i rrjeteve sociale e ka shpëtuar njëherë e përgjithmonë njerëzimin nga gjendja e vetmisë; se tani, askush nuk mund të ndihet vetëm, përkundrazi të gjithë kanë mundësine të ridimensionojnë veten përmes të shkuarës dhe së tashmës. Nga ana tjetër ky lloj ridimensionimi social i individit përmban dhe rreziqet e tij të cilat shkaktojnë një dëm anësor apo dhe të drejtpërdrejtë në cilësinë e jetës së individit. Në realitetin virtual, shokët dhe miqtë e pamundur takojnë me njëri-tjetrin shqetësimet dhe vuatjet e tyre shpirtërore, por ndoshta jo emocionet që i kanë mbërthyer ata për shkak të këtyre gjendjeve. Pra, emocionet përcillen mes e-fjales dhe ekranit të zhveshura nga perceptimi tradicional njerëzor që shëron vetëm duke ndjerë dhimbjen si dhimbje, dashurinë si dashuri, mërzine si mërzi, dëshpërimin si dëshperim, etj. Ndaj miqtë tanë virtualë janë gjithnjë aty (pas ekranit) për ne, por edhe për vete, sepse të gjithë kemi nevojë për të gjithë dhe dimensioni virtual i këtij socializimi apo shkëmbimi emocionesh na e mundëson këte më së miri.

Ndihemi kaq të izoluar hera-herës saqë zgjedhim të shkarkojmë nëpërmjet valvolave të tilla, apo izolojmë veten deri në pikën ku refuzojmë të besojmë marrëdhënien njerëzore jo virtuale? Nevoja e njerëzve për të qenë në kontakt me botën, por jo me njerëzit, e ka tronditur potencialin emocional të individit. Akoma më tej, temperamenti, streset e jetës së përditshme, histori traumash dhe shqetësimesh, angazhimet profesionale, familjare dhe intime rëndojnë shumë më tepër në izolimin emocional të individit. Dikush zgjedh ta adresoje ketë ngarkesë emocionale përmes “kurës” virtuale, një tjetër zgjedh të rikuperoje sipas modelit të vjetër për të kuptuar ndryshe veten në praninë e tjetrit.

Media sociale duket se po ndryshon mënyrën tonë të komunikimit. Ne zgjerojmë rrjetet tona sociale nëpërmjet kontakteve të reja si dhe eksplorojmë hapësira të reja, po përmes këtyre kontakteve. Nga ana tjetër, mund dhe të themi që pikërisht për shkak të tyre, shihemi gjithnjë e më pak sy më sy mes tonë.

Anxhela Gramo, psikoterapiste ECP

Artikull i shkruar për Tirana Post për Ditën Ndërkombëtare të Gruas, 8 Mars 2017 – Irena Shtraza, Psikologe

Artikull i shkruar për Tirana Post për Ditën Ndërkombëtare të Gruas, 8 Mars 2017

Irena Shtraza, psikologe, psikoanaliste grupi në supervizim dhe aktiviste e shoqërisë civile për çështjet gjinore. Anëtare themeluese e Analizës së Grupit në Shqipëri.

Gratë pre të burrave të këqinj apo normave sociale të mbrapshta?

Vitet shkojnë, shoqëria zhvillohet çdo ditë, ne bëhemi dëshmitarë të ndryshimeve në çdo cep të jetës…por në këtë vendin tonë të vogël, me shumë plagë tranzicionesh e traumash (ndër shekuj) që duket sikur s’kanë ndërmend t’i ndahen kurrë, një gjë që nuk ecën me shpejtësinë që duhet është barazia mes burrave e grave. Pozitën dominuese të meshkujve në shoqërinë tonë, qasjen maskiliste që justifikon varësinë e grave nga burrat e sheh kudo, në politikë, vendimmarrje, biznes, punësim, jetë sociale, dhe sigurisht, aty ku ngjizet e gjitha – brenda mureve të shtëpive – aty ku nis jetën riprodhimi social i patriarkalizmit. Nëse ka një gjë që trondit më fort, është dhuna (të kuptohemi, dhuna s’është vetëm fizike, por edhe psiko-emocionale, seksuale, ekonomike, dixhitale apo në formë përdjekjeje) ndaj vajzave e grave kudo, por sidomos ajo në marrëdhëniet intime e familjare. Sa vajza e gra dhunohen sistematikisht nga burrat e pranishëm në jetët e tyre? Sa shumë heshtin ndaj dhunës e sa pak ngrenë kokë e marrin guximin të thonë ‘jo!’?

Por çfarë ndodh brenda mendjeve të këtyre burrave që arrijnë të dhunojnë vajzën, gruan, motrën, vartësen, kalimtaren? Pse mendojnë se s’ka asgjë të gabuar në këtë mes?

Në fakt, ka një arsyetim të gjatë pas kësaj pyetjeje, por parë në kontekstin social-kulturor dhe atë të vlerave e besimeve, mund të thuhet se burrat dhunojnë sepse besojnë vërtet se kanë autoritet mbi gruan, se kanë të drejtë ta dënojnë atë, besojnë se dhuna është e pranueshme, besojnë se mund t’ja përdorin trupin si duan, besojnë vërtet se janë më superiorë ndaj gjinisë tjetër! Me dhunë ata i tregojnë grave se janë më të fuqishëm se to, duke e përdorur dhunën si një truprojë që ruan statusin superior që i jep të qenit burrë…

Por lind pyetja, a janë të çmendur gjithë këta djem e burra që na rrethojnë, apo problemi është gjetkë? Sigurisht që asnjë burrë s’lind i dhunshëm, asnjë burrë nuk lind me idenë që gruaja duhet t’i nënshtrohet burrit… Nga ana tjetër, si dreqin kemi arritur ta bëjmë të pranueshme dhunën ndaj vajzave e grave? Si dreqin rrinë urtë gratë e nuk rebelohen, si dreqin burrat e tjerë bëjnë sehir kur një burrë tjetër masakron një grua???

Rrënjët e këtij fenomeni janë shumë më të thella, aty ku brumoset identiteti ynë social, në shoqërinë ku jemi pjesë e rritemi duke marrë doza maskiliniteti gjatë eksperiencave të përditshme jetësore. Sociologët (R.W.Connell; Stark (2010) na shpjegojnë se – modelet e pabarazisë gjinore në familje e shoqëri, pabarazitë e strukturuara në ndarjen e pushtetit në të gjitha sferat, mënyra se si ndërtohen marrëdhëniet shoqërore mes të rinjve/moshatarëve, ideologjitë kolektive dhe diskursi rreth gjinisë dhe seksualitetit, kushtet, kultura dhe normat institucionale – të gjithë këto kombinohen në një përzierje toksike që kthehet në kërcënim kolektiv për të gjitha vajzat e gratë. Këto norma sociale minojnë vetëbesimin e vajzave e grave dhe sigurinë e tyre në përditshmëri, duke u përkthyer në një ‘nevojë’ për mbikëqyrje nga burrat e duke vepruar si një formë kontrolli social mbi to. Rrjedhimisht vajzat e gratë e gjejnë veten me më pak autonomi, liri, siguri, më të stepura në tregun e punës dhe në vendimmarrje. Pasoja e rëndë e gjithë kësaj dinamike është letargjia ndaj përpjekjeve për barazi gjinore, jo vetëm nga ana e djemve e burrave, por edhe nga vetë vajzat e gratë që nuk arrijnë të ç’brendësojnë besimet e vlerat patriarkale të thithura që në foshnjëri.

Sigurisht, shumë djem e burra përfitojnë nga ky maskulinitet tradicional që riprodhohet brez pas brezi. Por nga ana tjetër, stereotipi i ‘burrit të vërtetë’ lë shumë të tjerë të zhgënjyer dhe të zemëruar kur pritshmëritë e tyre jorealiste nuk përmbushen (e dashura nuk i nënshtrohet vullnetit të tij – çfarë zhgënjimi e ç’burrërimi!). Kjo sepse të rinjtë janë pre e një presioni të madh që të përputhen me një lloj mënyre të të qenit ‘burrë’ që kërkon agresivitet, pushtet (edhe ekonomik), autoritet, sjellje me karakter seksual (kujtoni pse lindi lëvizja #metoo) apo stoicizëm (burri një herë flet!). Përpos të tjerave, u kërkon që të jenë ‘kryefamiljarë’ (si grua, kjo fjalë më ndez gjakun), përgjegjës kryesorë për mirëqenien financiare të familjes (mos ndodhtë që gruaja të fitojë më shumë së ai!).

M.Kimmel, studiues i fenomeneve të lidhura me maskulinitetin, shpjegon se mospërmbushja e pritshmërive (jorealiste) të kultivuara nga shoqëria dhe të brendësuara nga djemtë e burrat, shpesh bëhet shkas për çrregullime psiko-emocionale apo sjellje të rrezikshme sociale (sa shumë djem e burra mbushin baret e pikat e basteve të këtij vendi!).

Por, pas gjithë këtyre që rreshtova (me shumë trishtim, jua garantoj), a ka shpresë që një ditë ne vajzat e gratë të jetojmë në një shoqëri të barabartë? Në një shoqëri ku deputeti burrë nuk të vjedh karriken që të përket, ku shefi nuk të studion linjat për të parë nëse e meriton të promovohesh, ku bota e biznesit nuk të terrorizon sepse është terren burrash, ku të bësh karrierë nuk të bën nënë të keqe, ku burri që dashuron të shikon si shoqen e jetës e jo si shërbëtore, ku nuk ke frikë të dalësh natën e pashoqëruar, ku prindërit të japin në dorë librin e jo fshesën…

Që ta arrijmë këtë, na duhet akoma shumë punë. Na duhet që si shoqëri, të transformojmë nocionet e ‘burrërisë’. Nuk duam më ‘burra të vërtetë’, duam ‘burra të mirë, më të butë, më të drejtë…më në paqe me veten (sesa me shoqërinë). Kjo është një sipërmarrje e madhe, ndaj ndërhyrjet në nivel individual nuk mjaftojnë, duhet ndërhyrë në nivele të tjera, më të pushtetshme, që në çerdhe e kopshte, në çdo kontekst e sektor. Prindërit, edukatorët/et, mësuesit/et, ne psikologët e punonjësit/et socialë/e, politikëbërësit/et e vendimmarrësit/et, të gjithë jemi të nevojshëm për këtë kauzë…nuk mund ta lëmë të vazhdojë më institucionalizimi i patriarkatit… duhet të sjellim një erë tjetër, atë të barazisë!

Kalofshi një 8 Mars ndryshe, duke ju gëzuar arritjeve si vajza e gra, e duke kërkuar më me forcë atë që meritoni e ju mohohet…

Frika e lirisë në grup – Ermira Hila

Si një laborator i vetë shoqërisë, grupi shpalos në miniaturë të pavetëdijshmen tonë shoqërore përmes reagimeve dhe qëndrimeve tona aty brenda, të ngërthyer mes frikërave, pasigurive por edhe kuriozitetit dhe dëshirës për t’u përmirësuar

A na frikësojnë grupet?”, është një tematikë e disa grupeve eksperienciale që po zhvillohen prej disa kohësh në Tiranë. Më shumë se sa një pyetje, tingëllon si një sfidë, sidomos për kontekstin e shoqërisë shqiptare. Një shoqëri që për një çerek shekulli po përpiqet akoma të ushqehet me rendin e ri të demokracisë, por që vazhdon të përpëlitet mes fantazmave të diktaturës më të egër komuniste dhe jo vetëm.

Në grup nuk është e lehtë të jesh. Vetë brezi i ri e ka të vështirë të jetë dhe natyrshëm lind pyetja ‘Pse?’. Prindërit dhe gjyshërit e tyre e dinë mirë ç’do të thotë të jetosh në ato kushte ku mbizotëronte kolektivizmi dhe shuhej individi, ku ata duhet të ishin pjesë e çdo lloj grupi të mundshëm, duhet të identifikoheshin aty që t’i shpëtonin përsekutimit dhe mbi të gjitha të nderonin dhe të adhuronin liderin e çdo grupi pa asnjë shans sindikimi. Ai regjim shkatërroi kohezionin e rrjetit social, duke armiqësuar njërin kundër tjetrit në gjithë shoqërinë, në një kurth sa paranoiak aq edhe sadist. Me qindra e mijëra jetë njerëzish u flijuan nën thundrën e çmendurisë njerëzore. Në një mënyrë a në një tjetër u flijuan të gjithë shqiptarët pa përjashtim; diku më shumë e diku më pak, diku në heshtje apo diku publikisht, dikë duke e shndërruar në viktimë e dikë në agresor. Gjurmët e atyre traumave kanë mbetur më shumë në të pavetëdijshmen tonë sociale sesa në vetëdijen tonë. Nuk duam t’i flasim, nuk duam t’i rikujtojmë dhe vazhdojmë të pluskojmë në një iluzion fëminor që na bën të besojmë se po të heshtim, ndoshta do të mund të shlyhen. Ajo diktaturë pushkatoi humanizmin e shoqërisë shqiptare, e cila nuk pati kurrë shansin ta jetonte dhe ta integronte në brendësi të vetëdijes së saj shoqërore.

Sot ne vazhdojmë të mbartim me vete gjithë ato trauma shoqërore që i përcjell e pandërgjegjshmja jonë sociale. Nuk e dimë tamam se si. Dhe ja ku jemi sot duke tërhequr akoma zvarrë fantazmën e kultit të individit, ku edhe në ato eksperienca të të qënit në grup ne vazhdojmë të kërkojmë drejtuesin e situatës, strukturën e programit etj, etj. Pa ato ne ndihemi të hutuar, pa një qëllim, pa një kumt, pa një kuptim. Nuk dimë si të jemi thjeshtë si qënie njerëzore mes të ngjashmëve tanë, ku mund të ndash një botë të tërë me ta dhe të mund të ndihesh më pak vetëm. Nuk dimë të përdorim më atë që na është dhënë që kur lindëm, lirinë. Lirinë për të qënë ashtu siç jemi, lirinë për të shprehur veten tonë me ato çfarë mbart brenda saj, pa i kërkuar askujt ‘leje’, të jesh siç dëshiron të jesh.

Të gjitha këto shfaqen qartë në dinamikat e grupit. Si një laborator i vetë shoqërisë, grupi shpalos në miniaturë të pavetëdijshmen tonë shoqërore përmes reagimeve dhe qëndrimeve tona aty brenda, të ngërthyer mes frikërave dhe pasigurive. Sa duhet të hapem? A do më lëndojë grupi? Po unë a do e lëndoj grupin? Çfarë do marr këtu? Çfarë do jap këtu? Sa do mund të jem vetvetja? Sa do më lejojnë të jem vetvetja? A do më pranojë grupi? Sa do më vlejë mua gjithë ky strapacim?, Sa do mund të jem unë i vlefshëm për grupin? etj, etj.

Teksa ai grup të rinjsh rri i ngurosur para murit të rezistencës, para vetes së vet, të vjen në mendje ‘Bukuroshja e fjetur’ që pret të zgjohet nga princi kalorës apo ndoshta edhe Rozafa jonë që flijon veten që të mund të garantojë vazhdimësinë e vetë jetës.

Në fakt specialistët e grup analizës e kanë konstatuar me kohë se si traumat e papërpunuara, të varrosura në ndërgjegjen e thellë, të mosthënat që bëhen tabú brenda familjeve, transmetohen automatikisht në brezat që vijnë duke u bërë burim patologjish nga më të ndryshme, që nga ato të mirëfillta psiqike në sistemin nervor, në mendje apo në shpirt, por edhe ato psikosomatike, ku sëmundja nervore transpozicionohet në organe të tjera të trupit.

Nga ana tjetër fatmirësisht të rinjtë duan të eksperimentojnë të renë, të kenë vizione të reja, të emancipohen përtej kufijve të ngurtë të prindërve të tyre, të imponuar nga çmenduria kolektive dhe të mund të përjetojnë e të jetojnë një mënyrë më të mirë të të qëni në shoqëri. Rinia shqiptare po përpiqet të gjejë shtigje të reja për të rekuperuar ato energji jetësore që deri dje i përthithte e kaluara. Ajo dëshiron të rimarrë kohën e humbur ndoshta edhe duke kapërcyer etapat. Të rinjtë po fillojnë të mësojnë që grupi në fillim të tremb. Aty nisin të ngrihen akuza e kundërakuza, ngrihen gishta tregues inkuizitorë, sulme, përplasje, tërheqje, pendesë. Dalëngadalë grupi kalon në fazën tjetër ku fillon e toleron tjetrin me gjithë defektet e tij, sepse tjetri është pjesë e pandashme e grupit dhe ndoshta në fund të fundit nuk është dhe aq i keq sa e kishte menduar. Mendon se ai ka arsyet e tij për të qenë ashtu siç është dhe secili ka arsyet e veta në të mirë dhe në të keq, për të qenë ashtu siç është. Kjo është faza e tolerancës dhe pranimit duke u proçesuar kështu deri në kohezionin e grupit. Kështu ai hyn në një dimension tjetër, merr një tjetër domethënie psikologjike për individin, merr një rëndësi jetike. Vetë Foulkes-i, themeluesi i metodës së Analizës së Grupit, aspironte në shpërndarjen e saj në shoqërinë njerëzore, i sigurtë se do të mund ta përmirësonte atë. Të rinjtë po fillojnë ta kuptojnë që kjo risi sjell atë ndryshimin thelbësor brenda tyre, që më shumë se një çertifikatë mbi karton, që për hir të së vërtetës edhe ajo vlen ndërkombëtarisht, përmban vlerën e një kapitali njerëzor të investuar në mënyrë permanente në veten e tyre.

Ermira Hila, Këshilli Drejtues i AGSH (Analiza e Grupit në Shqipëri)

Tiranë me 28 mars 2018

Prindërim i pasigurt model i imituar apo i mësuar? – Englantina Mersini, Psikoterapiste

Gjatë një dekadë e gjysëm eksperience me komunitetin e prindërve  dhe përvojës këshilluese në grup me ta, si specialiste e shëndetit mendor identifikoj një prindërim të pasigurt sidomos gjatë tre viteve të para. Kjo pasiguri vjen si pasojë e modelit natyral të familjes origjinë apo e grupit social ku prindërit socializohen?

Trysnia e familjes origjinë dhe roli i tyre tek çifti i ri ndikon në prindërim sidomos gjatë fillimeve të tij. Dyzimi midis asaj çfarë është trasmetuar e mësuar nga familja, përkundrejt asaj që kultivohet nga mjedisi social janë të dy faktorët, që ndikojnë në një prindërim të sigurt ose jo.

Cilët prindër imitojmë, familjen apo modelin e komunitetit të prindërve, ku ndërveprojmë? A ekziston një pikë takimi midis këtyre dy faktorëve, apo gërshetim të tyre?

Cili predominon sot në shqërinë tonë? Modeli i mësuar nga familja apo ai i nxitur nga komuniteti ku ata socializohen e imitojnë eksperiencat e njëri tjetrit?

E pamundur për ti kthyer një përgjigje, por një gjë është e sigurt duke u përpjekur për të kuptuar jo për të interpretuar le të ndajmë disa nga këto mendime që ata vet shprehin.

Gjatë ndarjeve të mendimeve në grup me prindërit e rinj, ata në këto grupe rezistojnë por edhe shprehin supozimet të tipit prindërimi i duhur duhet të:

a)    Të njohim dhe respektojmë rolin që familja me origjinën e saj trasmeton.Të ndryshojmë rrënjësisht rregullat e një disipline të pasukseshme si ndëshkimi fizik për fëmijët tanë.

b)    Të vlerësojmë njëri tjetrin dhe rolin në grupin e vogël të secilit prej nesh dhe si prindër të rinj të ndajmë eksperiencat negative, në grupin ku aderojmë.

c)    Të mos kemi frikë të gërshetojmë modelin familjar dhe korigjimin e pasurimin natyral të tij, me element të psiko edukimit gjatë fëmijërisë së hershme.

d)   Ti kushtojmë më shumë kohë fëmijës duke u bërë aktorë i lojës dhe shfaqjes së aftësive të reja të tij.

e)    Të nis prindërimi duke u ndërgjegjësuar se informimi psiko-social gjatë viteve të para është hapi i parë i suksesit.

f)     Të diskutojmë dhe debatojmë brënda familjes se, divergjencat midis brezave në prindërim do të ekzistojnë gjithmonë pasi janë tregues të një shoqërie në zhvillim.

g)    Të kuptojmë dhe vlerësojmë rolin e gjithë se cilit në familje duke repektuar rolin social të se cilit prej tyre.

h)   Të kuptojmë se prindërimi është proces i pandalshëm dhe nuk ka metër që shënon fundin e suksesit, por përpjekja e vazhdueshme për një mirrëritje sa më të mirë.

Duke u bazuar në thëniet e mësipërme guxoj të dal në përfundimin se:Prindërimi është një model origjine i pashmangshëm i cili mësohet, kultivohet, pasurohet në një mjedis social i cili zhvillon ose jo dijen psikosociale për fëmijërinë e hershme.

Prindërim i pasigurt model i imituar apo i mësuar?

Prindërimi në shoqërinë tonë është një proces i brendësuar, edukuar nga eksperienca familjare dhe i individualizuar dhe mësuar çdo dite nga modeli ynë social. Përvoja e gjatë e prindërve tanë në përkujdesjen fizike e ndërthurrur me njohuritë psiko sociale të munguara ose të nënvlerësuara ndër vite.

Prindërim më i sigurt do të thotë: Brëndësimi i kësaj përvoje me përkujdesjen jo vetëm fizike të fëmijës por edhe me pasurimin e njohurive mbi zhvillimit mendor të tij.  Prindërimi i sigurt ndihmon zhvillimin psikologjik dhe social të fëmijës.

Duke identifikuar aftësive sociale dhe inkurajon një sjellje e proces të mësuari në përputhje me nivelin e zhvillimit njohës të tij.

Englantina Mersini

Psikoterapiste