Frika e lirisë në grup – Ermira Hila

Si një laborator i vetë shoqërisë, grupi shpalos në miniaturë të pavetëdijshmen tonë shoqërore përmes reagimeve dhe qëndrimeve tona aty brenda, të ngërthyer mes frikërave, pasigurive por edhe kuriozitetit dhe dëshirës për t’u përmirësuar

A na frikësojnë grupet?”, është një tematikë e disa grupeve eksperienciale që po zhvillohen prej disa kohësh në Tiranë. Më shumë se sa një pyetje, tingëllon si një sfidë, sidomos për kontekstin e shoqërisë shqiptare. Një shoqëri që për një çerek shekulli po përpiqet akoma të ushqehet me rendin e ri të demokracisë, por që vazhdon të përpëlitet mes fantazmave të diktaturës më të egër komuniste dhe jo vetëm.

Në grup nuk është e lehtë të jesh. Vetë brezi i ri e ka të vështirë të jetë dhe natyrshëm lind pyetja ‘Pse?’. Prindërit dhe gjyshërit e tyre e dinë mirë ç’do të thotë të jetosh në ato kushte ku mbizotëronte kolektivizmi dhe shuhej individi, ku ata duhet të ishin pjesë e çdo lloj grupi të mundshëm, duhet të identifikoheshin aty që t’i shpëtonin përsekutimit dhe mbi të gjitha të nderonin dhe të adhuronin liderin e çdo grupi pa asnjë shans sindikimi. Ai regjim shkatërroi kohezionin e rrjetit social, duke armiqësuar njërin kundër tjetrit në gjithë shoqërinë, në një kurth sa paranoiak aq edhe sadist. Me qindra e mijëra jetë njerëzish u flijuan nën thundrën e çmendurisë njerëzore. Në një mënyrë a në një tjetër u flijuan të gjithë shqiptarët pa përjashtim; diku më shumë e diku më pak, diku në heshtje apo diku publikisht, dikë duke e shndërruar në viktimë e dikë në agresor. Gjurmët e atyre traumave kanë mbetur më shumë në të pavetëdijshmen tonë sociale sesa në vetëdijen tonë. Nuk duam t’i flasim, nuk duam t’i rikujtojmë dhe vazhdojmë të pluskojmë në një iluzion fëminor që na bën të besojmë se po të heshtim, ndoshta do të mund të shlyhen. Ajo diktaturë pushkatoi humanizmin e shoqërisë shqiptare, e cila nuk pati kurrë shansin ta jetonte dhe ta integronte në brendësi të vetëdijes së saj shoqërore.

Sot ne vazhdojmë të mbartim me vete gjithë ato trauma shoqërore që i përcjell e pandërgjegjshmja jonë sociale. Nuk e dimë tamam se si. Dhe ja ku jemi sot duke tërhequr akoma zvarrë fantazmën e kultit të individit, ku edhe në ato eksperienca të të qënit në grup ne vazhdojmë të kërkojmë drejtuesin e situatës, strukturën e programit etj, etj. Pa ato ne ndihemi të hutuar, pa një qëllim, pa një kumt, pa një kuptim. Nuk dimë si të jemi thjeshtë si qënie njerëzore mes të ngjashmëve tanë, ku mund të ndash një botë të tërë me ta dhe të mund të ndihesh më pak vetëm. Nuk dimë të përdorim më atë që na është dhënë që kur lindëm, lirinë. Lirinë për të qënë ashtu siç jemi, lirinë për të shprehur veten tonë me ato çfarë mbart brenda saj, pa i kërkuar askujt ‘leje’, të jesh siç dëshiron të jesh.

Të gjitha këto shfaqen qartë në dinamikat e grupit. Si një laborator i vetë shoqërisë, grupi shpalos në miniaturë të pavetëdijshmen tonë shoqërore përmes reagimeve dhe qëndrimeve tona aty brenda, të ngërthyer mes frikërave dhe pasigurive. Sa duhet të hapem? A do më lëndojë grupi? Po unë a do e lëndoj grupin? Çfarë do marr këtu? Çfarë do jap këtu? Sa do mund të jem vetvetja? Sa do më lejojnë të jem vetvetja? A do më pranojë grupi? Sa do më vlejë mua gjithë ky strapacim?, Sa do mund të jem unë i vlefshëm për grupin? etj, etj.

Teksa ai grup të rinjsh rri i ngurosur para murit të rezistencës, para vetes së vet, të vjen në mendje ‘Bukuroshja e fjetur’ që pret të zgjohet nga princi kalorës apo ndoshta edhe Rozafa jonë që flijon veten që të mund të garantojë vazhdimësinë e vetë jetës.

Në fakt specialistët e grup analizës e kanë konstatuar me kohë se si traumat e papërpunuara, të varrosura në ndërgjegjen e thellë, të mosthënat që bëhen tabú brenda familjeve, transmetohen automatikisht në brezat që vijnë duke u bërë burim patologjish nga më të ndryshme, që nga ato të mirëfillta psiqike në sistemin nervor, në mendje apo në shpirt, por edhe ato psikosomatike, ku sëmundja nervore transpozicionohet në organe të tjera të trupit.

Nga ana tjetër fatmirësisht të rinjtë duan të eksperimentojnë të renë, të kenë vizione të reja, të emancipohen përtej kufijve të ngurtë të prindërve të tyre, të imponuar nga çmenduria kolektive dhe të mund të përjetojnë e të jetojnë një mënyrë më të mirë të të qëni në shoqëri. Rinia shqiptare po përpiqet të gjejë shtigje të reja për të rekuperuar ato energji jetësore që deri dje i përthithte e kaluara. Ajo dëshiron të rimarrë kohën e humbur ndoshta edhe duke kapërcyer etapat. Të rinjtë po fillojnë të mësojnë që grupi në fillim të tremb. Aty nisin të ngrihen akuza e kundërakuza, ngrihen gishta tregues inkuizitorë, sulme, përplasje, tërheqje, pendesë. Dalëngadalë grupi kalon në fazën tjetër ku fillon e toleron tjetrin me gjithë defektet e tij, sepse tjetri është pjesë e pandashme e grupit dhe ndoshta në fund të fundit nuk është dhe aq i keq sa e kishte menduar. Mendon se ai ka arsyet e tij për të qenë ashtu siç është dhe secili ka arsyet e veta në të mirë dhe në të keq, për të qenë ashtu siç është. Kjo është faza e tolerancës dhe pranimit duke u proçesuar kështu deri në kohezionin e grupit. Kështu ai hyn në një dimension tjetër, merr një tjetër domethënie psikologjike për individin, merr një rëndësi jetike. Vetë Foulkes-i, themeluesi i metodës së Analizës së Grupit, aspironte në shpërndarjen e saj në shoqërinë njerëzore, i sigurtë se do të mund ta përmirësonte atë. Të rinjtë po fillojnë ta kuptojnë që kjo risi sjell atë ndryshimin thelbësor brenda tyre, që më shumë se një çertifikatë mbi karton, që për hir të së vërtetës edhe ajo vlen ndërkombëtarisht, përmban vlerën e një kapitali njerëzor të investuar në mënyrë permanente në veten e tyre.

Ermira Hila, Këshilli Drejtues i AGSH (Analiza e Grupit në Shqipëri)

Tiranë me 28 mars 2018

Prindërim i pasigurt model i imituar apo i mësuar? – Englantina Mersini, Psikoterapiste

Gjatë një dekadë e gjysëm eksperience me komunitetin e prindërve  dhe përvojës këshilluese në grup me ta, si specialiste e shëndetit mendor identifikoj një prindërim të pasigurt sidomos gjatë tre viteve të para. Kjo pasiguri vjen si pasojë e modelit natyral të familjes origjinë apo e grupit social ku prindërit socializohen?

Trysnia e familjes origjinë dhe roli i tyre tek çifti i ri ndikon në prindërim sidomos gjatë fillimeve të tij. Dyzimi midis asaj çfarë është trasmetuar e mësuar nga familja, përkundrejt asaj që kultivohet nga mjedisi social janë të dy faktorët, që ndikojnë në një prindërim të sigurt ose jo.

Cilët prindër imitojmë, familjen apo modelin e komunitetit të prindërve, ku ndërveprojmë? A ekziston një pikë takimi midis këtyre dy faktorëve, apo gërshetim të tyre?

Cili predominon sot në shqërinë tonë? Modeli i mësuar nga familja apo ai i nxitur nga komuniteti ku ata socializohen e imitojnë eksperiencat e njëri tjetrit?

E pamundur për ti kthyer një përgjigje, por një gjë është e sigurt duke u përpjekur për të kuptuar jo për të interpretuar le të ndajmë disa nga këto mendime që ata vet shprehin.

Gjatë ndarjeve të mendimeve në grup me prindërit e rinj, ata në këto grupe rezistojnë por edhe shprehin supozimet të tipit prindërimi i duhur duhet të:

a)    Të njohim dhe respektojmë rolin që familja me origjinën e saj trasmeton.Të ndryshojmë rrënjësisht rregullat e një disipline të pasukseshme si ndëshkimi fizik për fëmijët tanë.

b)    Të vlerësojmë njëri tjetrin dhe rolin në grupin e vogël të secilit prej nesh dhe si prindër të rinj të ndajmë eksperiencat negative, në grupin ku aderojmë.

c)    Të mos kemi frikë të gërshetojmë modelin familjar dhe korigjimin e pasurimin natyral të tij, me element të psiko edukimit gjatë fëmijërisë së hershme.

d)   Ti kushtojmë më shumë kohë fëmijës duke u bërë aktorë i lojës dhe shfaqjes së aftësive të reja të tij.

e)    Të nis prindërimi duke u ndërgjegjësuar se informimi psiko-social gjatë viteve të para është hapi i parë i suksesit.

f)     Të diskutojmë dhe debatojmë brënda familjes se, divergjencat midis brezave në prindërim do të ekzistojnë gjithmonë pasi janë tregues të një shoqërie në zhvillim.

g)    Të kuptojmë dhe vlerësojmë rolin e gjithë se cilit në familje duke repektuar rolin social të se cilit prej tyre.

h)   Të kuptojmë se prindërimi është proces i pandalshëm dhe nuk ka metër që shënon fundin e suksesit, por përpjekja e vazhdueshme për një mirrëritje sa më të mirë.

Duke u bazuar në thëniet e mësipërme guxoj të dal në përfundimin se:Prindërimi është një model origjine i pashmangshëm i cili mësohet, kultivohet, pasurohet në një mjedis social i cili zhvillon ose jo dijen psikosociale për fëmijërinë e hershme.

Prindërim i pasigurt model i imituar apo i mësuar?

Prindërimi në shoqërinë tonë është një proces i brendësuar, edukuar nga eksperienca familjare dhe i individualizuar dhe mësuar çdo dite nga modeli ynë social. Përvoja e gjatë e prindërve tanë në përkujdesjen fizike e ndërthurrur me njohuritë psiko sociale të munguara ose të nënvlerësuara ndër vite.

Prindërim më i sigurt do të thotë: Brëndësimi i kësaj përvoje me përkujdesjen jo vetëm fizike të fëmijës por edhe me pasurimin e njohurive mbi zhvillimit mendor të tij.  Prindërimi i sigurt ndihmon zhvillimin psikologjik dhe social të fëmijës.

Duke identifikuar aftësive sociale dhe inkurajon një sjellje e proces të mësuari në përputhje me nivelin e zhvillimit njohës të tij.

Englantina Mersini

Psikoterapiste

 

“Disiplinë do të thotë ta mësosh, jo ta ndëshkosh fëmijën…!” – Englantina Mersini, Psikoterapiste

Shpesh, gjatë punës time të përditshme dëgjojë nga prindërit, fjalitë: “Ju psikologët jepni këshilla pa fund mbi disiplinën pozitive për fëmijën. Rekomandoni materiale të shumta për të lexuar, por harroni se na duhen shembujt konkret. Si, ku, kur dhe çfarë duhet të kryejmë, në situata të mos disiplinimit dhe sjelljes së pa menaxhueshme me fëmijën! Jo fjalë por vepra!”

– E drejtë. Të disiplinosh një fëmijë në mënyrën e duhur, kjo është pjesa më e vështirë e prindërimit. Disiplinimi është një proces i gjatë, që shndërrohet ndër vite, një mënyrë jetese për fëmijën tuaj.

Ndaj, sot do të përpiqem të flas me shembuj konkret, që mund t’iu ndihmojnë në jetën e përditshme.

Disiplinë do të thotë ta mësosh, jo ta ndëshkosh fëmijën! Disiplinë do të thotë brendësimi te fëmija i vetëkontrollit, derisa të jetë vetë fëmija, që i vendos vetes kufijtë, gjatë viteve në vazhdim.

Duke i vënë kufij fëmijës, në mënyrë të prerë, por me dashuri, ju e ndihmoni atë të formojë standartet e brendshme, për të cilat do të ketë nevojë gjithë jetën.

Mundësitë për t’i mësuar fëmijës disiplinën fillojnë shumë më herët, pikërisht në ditët e para të jetës së tij. Disiplina duhet t’i përshtatet individualisht çdo fëmije.

Shumë i rëndësishëm është edhe kuptimi i motiveve të fëmijës, të asaj se çfarë është në gjendje të njohë dhe mësoj në çdo moshë.

Vendosim kufij për një disiplinim konkretë me këto metoda të thjeshta:

Metodat e Vendosjes së Kufijve

1.Mesazhi Unë.

2.Dhënia e informacionit.

3.Pasojat e natyrshme.

4.Përdorimi i rrjedhojave.

5.Ofrimi i zgjedhjeve.

6.Metoda “Burimi i Fundit”.

– Mesazhi Unë

Eshtë mënyra më e mirë për të vendosur kufij te fëmija, sepse ju i shprehni ndjenjat si një problem për tu zgjidhur. Nga fëmija pritet, që të përgjigjet në mënyrë pozitive.

Mesazhi – Unë ka tre pjesë: Ndjenjat e tua, ajo çfarë po ndodh në atë çast dhe arsyeja, pse jeni e shqetësuar.

Shembuj

Frikësohem kur të shoh tek ngjitesh mbi tavolinë, se është e dobët dhe mund të vritesh.

(ndjenjat e tua) (çfarë po ndodh në cast) (arsyeja)

Nuk mund ta lexoj tregimin me kaq zhurmë, se ndjehem e acaruar.

(arsyeja) (çfarë po ndodh në çast) (ndjenjat e tua)

Ai libër i lënë mbi dysheme më shqetëson, se mund të griset.

(arsyeja) (ndjenjat e tua) (çfarë po ndodh në çast)

Frikësohem tek të shoh të hedhësh lodrat, se dikush mund të demtohet.

-Dhënia e informacionit

Kur ju jepni informacion, përdorni një ton informues të zërit pa bërtitur dhe kërcënuar, e më pas lejoni fëmijën të reagojë.

Nëse fëmija ju injoron, atëherë përdorni një ton më të qartë zëri ose jepni më shumë informacion.

Shembuj

Eshtë koha për tu bërë gati për drekë …(pret një përgjigje).

Lodrat hiqen tutje… (pret një përgjigje).

Nuk mund të marr për të ngrënë drekën derisa lodrat të hiqen!

-Pasojat e Natyrshme

Shembuj

Kur fëmijët i hedhin lodrat, ata i marrin vetë ato.

Duket sikur je bërë pis, ja ku e ke pecetën.

-Përdorimi i Rrjedhojave

Në këtë teknikë veprimi i dytë varet nga kryerja e të parit. Rrjedhoja fillon me “KUR”.

Kjo deklaratë i tregon fëmijës, se çfarë prisni nga ai dhe se, çdo të ndodhë, nëse ai ankohet.

Shembuj

Kur të kesh vënë mënjanë pazëllin, atëherë mund të luash me një tjetër lodër!

Kur të kesh mbaruar së bërtituri, mund të kthehesh në këtë dhomë!

Kur ti kesh veshur këpucët, mund të bëhesh gati për të shkuar jashtë!

-Ofrimi i Zgjedhjeve

Kjo teknikë është efikase në mënyrë të veçantë me fëmijët shumë të pavendosur.

Dhënia e zgjedhjeve eleminon shumë përgjigje “JO”.

Shembuj

Mund të veshësh këpucët ngjyrë kafe ose të zeza!

Mund të luash qetësisht brenda ose me zhurmë përjashta!

-Metoda “Burimi i Fundit

Pasi keni provuar gjithçka dhe fëmija vazhdon në të vetën (me qëllim ju dëmton, përqesh) lëvizeni fëmijën nga vendi dhe vendoseni në një tjetër vend për tu qetësuar. Derisa, ai të jetë në gjendje të luajë pa dëmtuar, duke e lënë atë të zgjedhë se kur do të kthehet.

Nëse ai e përsërit sjelljen, thoni: “Ti mendove se ishe gati për të ardhur, por nuk je në fakt akoma, ndaj shko sërish derisa të qetësohesh!”

Kjo metodë nuk është “time out” sepse fëmija është gjithë kohës në kontroll të situatës dhe zgjidhjes së saj.

Argumente për ndalimin e ndëshkimit fizik dhe psikologjik

Ndëshkimi fizik dhe psikologjik dhunon të drejtën e fëmijës për tu respektuar, për integritet fizik dhe dinjitet njerëzor.

Ndëshkimi fizik dhe psikologjik ka një efekt të dëmshëm mbi zhvillimin e fëmijës. ai ka pasoja sociale, emocionale dhe fizike mbi fëmijët.

Ndëshkimet fizike dhe psikologjike u mësojnë fëmijëve, se dhuna është një metodë e drejtë për zgjidhjen e konflikteve. Gjithashtu, legjitimon abuzimin me pushtetin, si një pjesë thelbësore e raporteve afektive.

Ndëshkimet fizike dhe psikologjike mund të jenë shkaku i lënies së shkollës, i rezultateve të dobëta në mësime, i komunikimit jo të mirë dhe vlerësimit të ulët, që fëmijët kanë për veten e tyre.

Ndihmë për fëmijët të shprehin emocionet e forta – zemërimin.

Si e shprehin zemërimin fëmijët?

Një ndër gjërat më shqetësuese dhe të paqarta mbi zemërimin në fëmijëri është se ai ka tri pjesë. Fëmijët sigurisht, që e ndjejnë zemërimin dhe e shprehin atë, por ata duket se nuk e kuptojnë zemërimin (Kuebli, 1994).

Dizenjimi i dhomës dhe ndikimi i saj në sjelljen e fëmijës

Kritchevsky and Prescott tregojnë se si prindi apo kujdestari mund të ndryshojnë mjedisin e dhomës për të ndryshuar sjelljen e fëmijëve.

Dizenjimi i dhomës ti përshtatet nevojave dhe përvojave të fëmijës.

Hapësira e keq menaxhuar krijon zona problematike.

Si ta menaxhojë sjelljen agresive të fëmijës tim?

Trego dashuri për të në mënyrë konsistente!

Jepi vëmendje individuale!

Lexo, flit, dhe trego ngjarje!

Luaj me fëmijën dhe ji konsistent me rregullat!

Asnjëherë mos injoro një situatë, ku fëmija nuk i bindet rregullave!

Ul ekspozimin ndaj dhunës!

Monitoro kohën dhe programet që sheh fëmija në TV!

Mësojini fëmijët të mos jenë viktima!

Mësojini fëmijët ndaj të cilëve është drejtuar dhuna të thonë “Kjo të dhemb”!

Më pas shpenzo kohë me fëmijën, në mënyrë që të shprehi ndjenjat dhe zgjidheni konfliktin bashkë!

Mos e lejoni sjelljen agresive!

Jepini fëmijës shembuj se si të jetë ndihmues me duart e tij (duart janë për … jo për…)!.

Vendos rregullin duke thënë “Nuk lejohet goditja”!

-Disa situata kërkojnë ndihmë profesionale.

Disa shenja mund të jenë: agresivitet i shpeshtë me të tjerët; nuk ndjek udhëzimet, nuk të dëgjon; nuk duket i lidhur me ty e nuk të sheh në sy apo prek; kërkon gjithnjë programe me dhunë në tv etj.

Parandalimi i dhunës dhe menaxhimit të zemërimit

Pranimi i emocioneve dhe diskutimi i tyre haptas.

Përdorimi i literaturës (ka një sërë librash mbi kuptimin e ndjenjave)

Shembull:

1.Termometri i zemërimit (fëmijët ngjyrosin në vizatim një termometër, për të treguar sa të zemëruar janë. Ata tregojnë se çfarë e shkaktoi zemërimin, dhe ju kërkohet të mendojnë për mënyra se si ta menaxhojnë situatën herë tjetër.

2.Tryeza e Paqes Shënimet e zemëruara (vizatim i emocioneve në vend të shprehjes verbale)

3.Strategjitë qetësuese (numërimi; frymëmarrja e thellë)

-Nëse dyshoni se fëmija ka probleme të sjelljes, atëherë dokumentoni në mënyrë objektive sjelljen e tij.Rekomandim vizita tek një profesionist i shëndetit mendor.

Shpresoj dhe besoj, që këto teknika dhe metoda të thjeshta mund t’iu ndihmojnë ju prindër, në zbatimin e një disipline konkrete dhe koherente, në jetën e përditshme me fëmijën tuaj!

 

 

 

*Bibliografia

Manuali “Arti i rritjes se femijes” Unicef

Manuali “Disiplina pozitive. Te nxisim sjelljet e mira” Childfund

Disiplina pozitive në prindërimin e përditshëm / Joan E. Durrant.

Save the Children, 2013.

Englantina Mersini,

Psikoterapiste

Stresi në adoleshencë – Englantina Mersini, Psikoterapiste

Stresi në adoleshencë

Englantina Mersini, Psikoterapiste/ Çfarë është stresi?

Stresi është reagimi i natyrshëm i trupit ndaj ndryshimeve e sfidave jetësore .

Stresi është një pjesë e natyrshme dhe e rëndësishme e jetës, por kur stresi pengon veprimtarite e rutinës ditore atëherë është i dëmshme për shëndetin tonë dhe sidomos në adoleshencë .

Ne të gjithë reagojmë ndaj stresit në mënyra të ndryshme edhe pse stresi mund të  ndihmojë të jemi më vigjilent dhe të përgatitur kur ne kemi nevojë për të.

-Stresi mund të shkaktojë shqetësime emocionale dhe fizike. Kur jemi nën stres, ne mund të përjetojmë ndjenja si frustrimi, trishtimi, zemërimi, dhe nervozizmi.

Reagime fizike si: Rrahjet e shpeshta të zemrës, djersitje, dhimbje koke dhe stomaku.

-Kur mund të përjetojmë stres?

Ja disa arsye:

  • Komunikim jo i mirë me prindërit.
  • Rivalitet me vëllezërit e motrat
  • Probleme me miqtë e shokët në shkollë
  • Marrëdhënie romantike
  • Të mësuarit në shkollë dhe vlerësimi me nota të pakënaqshme
  • Konkurrenca intensive në sporte dhe aktivitete jashtëshkollore
  • Paqëndrueshmëri sociale dhe financiare të familjes
  • Siguria personale dhe çështje të tjera private etj.

Shkaqet e stresit në adoleshencë:

  1. a) Detyrat e shtëpisë, teste që kërkojnë shumë studim, aplikimet për shkollën e lartë dhe ndonjëherë edhe ndryshimi i shkollës .
  2. b) Çështjet e vështira në shtëpi mund të përfshijnë marrëdhënien me prindërit dhe me vëllezërit e motrat. Humbja e njerëzve të dashur etj.
  3. c) Adoleshentët duhet të përballen me ndryshimet trupore gjatë pubertetit, presionit të shoqërisë dhe ndryshimet në marrëdhëniet  me të tjerët.

Kur stresi nuk është trajtuar në një mënyrë të shëndetshme, ai mund të zvogëlojë energjinë e një personi dhe të krijojë tek adeleshenti probleme me ankthin.

Cilat janë disa nga zakonet pozitive për tu përballur me stresin?

Duhet të:

  1. Shmangni përdorimin e alkoolit dhe drogës! Duke krijuar varësi ndaj tyre, shtoni më shumë stresin në afat të gjatë.
  2. Shmangni kafeinën dhe produktet me përqindje të lartë në sheqer! Pasi këto produkte ndikojnë negativisht në të menduar dhe shkaktojnë ankth e shqetësim.
  3. Ushqehuni në mënyrë të shëndetshme! Mbiushqyerja dhe të ngrënit e pakët, si dhe të ngrënit në mënyrë të çrregullt krijojnë probleme në shëndetin tuaj.
  4. Shpenzoni një kohë të limituar  në kompjuter dhe televizion!
  5. Shpenzoni një kohë të limituar në mediat sociale! Media sociale mund të kthehet në një burim i madh stresi për ju, nëse koha e shpenzuar në të është e pakontrolluar.
  6. Realizoni detyrat në kohën e duhur! Zvarritja e realizimit të tyre mund të çojë në periudha intensive të stresit dhe të zvogëlojë cilësinë e punës suaj.
  7. Kujdes, mos shpërtheni në zëmërim! Dhuna verbale ose fizike është një zgjidhje e gabuar kur përjetojni stres.

Kujtoni: Të gjithë njerëzit përjetojnë stres

-Ja disa mënyra të lehta dhe të shëndetshëm për tju ndihmuar në lehtësimin e stresit:

  • Kërkoni ndihmë! Ju nuk duhet të përballen me çdo gjë vet! Bisedoni me njerëzit që ju besoni. Ju mund të diskutoni për çfarë ju shqetëson dhe përfitoni nga biseda me ta.
  • Merr frymë thellë! Ky akt i thjeshtë mund të ulë nivelin tuaj të ankthit.
  • Hani shëndetshëm, ushqim të ekuilibruar çdo ditë! Trupi juaj ka nevojë për energji dhe shëndet të mirë fizik që të përballojë stresin.
  • Bëni gjumë të shëndetshëm! Kjo ju ndihmon për tu ndjerë mirë dhe të shplodhur.
  • Pushoni! Merrni një pushim nga një detyrë të vështirë për të bërë diçka që ju gëzonë. Shëtitje në natyrë, dëgjimi i muzikës suaj të preferuar etj.
  • Kryeni ushtrime fizike rregullisht! Të paktën, 15 minuta aktivitete fizike në ditë ndihmojnë në përballimin e stresit .
  • Ndërprisni aktivitetet shtesë në rutinën tuaj ditore!
  • Mbani një ditar në organizimin e programeve tuaja ditore!

Nëse stresi juaj gjatë ditës pengon kryerjen e aktiviteteve të përditshme:

  • Bisedoni me mësuesin kujdestar për këshillim e udhëzime shkollore!
  • Bisedoni me psikolgun në shkollën tuaj!
  • Bisedoni me një terapist të shëndetit mendor!

Këshilla për parandalimin e stresit:

  • Kujdesuni për trupin tuaj! Aktiviteti fizik, një dietë e shëndetshme ushqimore, gjumi i rregullt, do të përgatisin trupin tuaj për të parandaluar stresin e përditshëm.
  • Mendoni pozitivisht!.
  • Fokusohuni në arritjet tuaja!
  • Kryeni detyrat me rradhë! Mos u përpiqni të realizoni disa detyra  në të njëjtën kohë!
  • Jepini prioritet detyrës më të rëndësishme!
  • Mbani një ditar organizimi të detyrave ditore!
  • Planifikoni realizimin e detyrave në një afat kohor të arsyeshëm! Shtoni kohë për pushimin në mes të detyrave!
  • Mundohuni të mos shqetësohen për gjëra që ju nuk mund të kontrolloni dot!
  • Faleni veten dhe të tjerët! Faji nxit rritjen e stresit.
  • Gjeni kohë për të kryer aktivitetet që ju argëtojnë!
  • Mos krahasoni veten me të tjerët! Çdo njeri është unik dhe i veçantë !
  • Shoqërohuni me njerëz  që ju bëjnë të ndiheni mirë!
  • Reflektoni çdo mbrëmje mbi ditën tuaj! Veprimtaritë e vlefshme dhe ato të pavlerë!

Drejtuar gjithë adoleshentëve- Kujtohuni:

Stresi është normal

Mos harroni:

Jeta është gjithmonë në ndryshim. Ajo, që sot është e vështirë, nesër mund të mos jetë më e rëndësishme.

Englantina Mersini,

Psikoterapiste

Atentatet e dinjitetit femëror – Ermira Hila

Atentatet e dinjitetit femëror

Trupi i saj shërben si kafshë kurbani për të shlyer mëkatet më të rënda, një Rozafë moderne në një shoqëri të çoroditur që nuk di më se ku i ka themelet e saj, nuk di si të ndërtojë apo të përmirësojë veten dhe shkon drejt vetëshkatërrimit.

Mashkulli lahet me një lugë ujë, femrën nuk e lan as uji i detit’ vërtitet në mendje si një laraskë ogurzezë teksa azhornohesh me lajmet e ditës. Fatkeqësisht duhet t’i japësh të drejtë pranisë në fantazi të shpendit keqndjellës sepse nuk bën në kohë as të mbledhësh mendimet e t’i shkruash dhe ndërkaq një tjetër traumë e ngjashme ndodh diku jo shumë larg. Përpjekja për të dalë nga kjo mpirje, kërkon të kuptosh çfarë ndodh përreth, në këtë shoqëri me sjellje kaq infantile duke bërë sehir ndaj abuzimit, shantazhit, dhunës, vrasjes, asgjësimit, fajësimit, turpit të femrës. Duhet pranuar që tashmë ajo thënie jo e urtë është pjesë e subkoshiencës tonë shoqërore, që më së shumti harrojmë edhe që e mbartim me vete ngado.

Mendimet e njerëzve rreth këtyre ngjarjeve, me një nënzë unizon poshtë tyre, duket sikur ushtojnë: ‘Shyqyr nuk më ka ndodhur mua! Uaa…. Po unë nuk jam e atillë! Fëmijën tim e di si e kam rritur! Nuk ka shans që të më ndodhi mua diçka e tillë’.

Një tjetër thënie por kësaj rradhe vërtetë e urtë thotë: ‘Armiku në kodër, prite se e ke në votër!’. Duket sikur vjen nga mesjeta ky proverb dhe shpalos urtësinë e shoqërisë që atëherë me një qasje shumë më të përkorë se sa ç’është ky qëndrimi i shoqërisë së ditëve tona. Që atëherë duket se e kishin më të qartë identifikimin e së keqes dhe thirrja për t’u mbrojtur ishte për të gjithë. Sot nuk dihet se kush është armiku i kësaj shoqërie. Nuk është më ajo turma e kalorësve të zinj me shpatë zhveshur teksa zbresin majën e kodrës për të pushtuar. Fajësimi, turpi duket sikur kanë pushtuar vetëdijen shoqërore dhe e kanë marrë në pronësi. Shmangia duket të jetë e vetmja armë mbrojtëse dhe njëkohësisht iluzionare, që me performancën e strucit me kokën poshtë rërës bën sikur ai nuk e ka me ne. ‘O zot bëj që kjo të jetë ëndërr’, vazhdon në qëndrimin e saj paranojak.

Në fakt është për ta patur zili edhe ‘Harry Potter’ magjistari për nga fantazia dhe shkëputja nga realiteti. Mjafton të mos thuash emrin e atij që nuk duhet përmendur, mjafton të mos thuhet kush e ka me të vertetë fajin, sepse është turp. Në cilën pjesë të botës një prind mendon që ajo çfarë i ndodhi shoqes së klasës, nuk do të mund t’i ndodhte edhe vetë fëmijës së tij? Më e pakta që vjen në mend është që ai prind do të vërtitet më kot në një iluzion kontrolli ndaj fëmijës së tij që domosdoshmërisht do të shndërrohet në obsesion nëse nuk është shndërruar tashmë në një të tillë. Po fëmija vetë? Do të ndrydhet nën një presion anormal me dëme të pashmangshme për zhvillimin e tij. Në fund për atë fëmijë, pengesa kryesore do të bëhet vetë prindi nga ku i mituri mund të shpërthejë në sjellje antisociale. Sa e sa implikime dhe pasoja mund të sjellë ky qëndrim!

Çfarë lloj shoqërie është kjo që fajëson viktimat dhe flirton me agresorët? Ngjan me të njëjtin mekanizëm pervers të viteve të krizës së piramidave të vitit jo shumë të largët ’97. Atëherë kur mbizotëronte babëzia që pason zinë e bukës, motoja ishte ‘të marr dhe të shumëfishoj sa më shumë të mundem! Këtu nuk ka më asnjë rregull ligjor! Unë jam me i mençuri se e zbulova i pari!’. Ndërsa sot mbizotëron paranoja, shmangia e vlerave me moton ‘të rri në distancë higjenike nga kolera e fajit dhe turpit. Këtu nuk ka më asnjë rregull moral. Unë jam më puritani i të gjithëve!’ Në fakt morali e kërkon të turpërojë atë që bën faj dhe të mbrojë atë që pëson fajin.

Çfarë lloj shoqërie është kjo që peshën e fajit dhe të turpit ia ka dhënë Asaj, femrës, si atij fajtorit të gjykuar nga fshati që ka marrë si dënim të mbajë gurin e turpit duke i ardhur kishës rrotull për 3 herë?

Kështu cikli i marrëzisë vazhdon. Pikërisht kur ato femra të traumatizuara që në atë gjendje shoku përpiqen të kuptojnë e të ftillohen se çfarë po ndodh brenda tyre, kjo shoqëri i godet sërish me paragjykime, indiferentizëm, duke i braktisur në fatin e tyre vetmitar, të damkosura, të stigmatizuara përjetë.

Si të mos mjaftonte nga ana tjetër rritet babëzia mashkullore për të sodomizuar, gllabëruar, asgjësuar trupin e femrës. Në këtë çmenduri nuk ka lehtësira për asnjë lloj femre, e martuar, e dashuruar, e zemëruar, laike apo fetare, e moshuar apo e re. Trupi i saj shërben si kafshë kurbani për të shlyer mëkatet më të rënda, një Rozafë moderne në një shoqëri të çoroditur që nuk di më se ku i ka themelet e saj, nuk di si të ndërtojë apo të përmirësojë veten dhe shkon drejt vetëshkatërrimit. Aq destruktive po bëhet saqë po lejon të përçudnohet edhe ajo mosha pafajësisë, dlirësisë, mosha e mitur. Nëse ndonjëherë do të ekzistonte ndonjë gjë e shenjtë, kjo do të ishte.  Duket si një shigjetë në thembrën e Akilit të vetë shoqërisë dhe ajo vazhdon të mpihet në agoninë e traumës. Sikur të mos mjaftonte fakti që kjo shoqëri akoma nuk ka “numëruar” viktimat e ’97, nuk di akoma ku i ka plagët e atyre traumave.

Si ndodh që e gjithë ana njerëzore më e errët është vendosur të shkarkohet mbi gjysmën e bashkësisë së saj, mbi atë femëroren? Trupi i saj duhet të mbajë turpin e perversitetit seksual, të epsheve më arkaike që dalin nga kontrolli, të agresivitetit dhe zemërimit që vjen nga errësira e jetës së vetë agresorit por edhe të kësaj shoqërie. Trupi dhe dinjiteti i saj duhet të mbajë edhe vetë vdekjen dhe asgjësimin e saj. ‘Ajo më joshi! Ajo e ka fajin se më provokoi! Ajo më çoi në atë pikë, unë nuk desha!’.

Jo vetëm kaq por duhet të mbajë edhe vetëvrasjen e agresorit të saj, në një akt në dukje tragjik shekspirian por që në të vërtetë mbetet një infantilizëm patetik si vello mbi absurdin e këtij fenomeni. E dhunuar fizikisht, psikologjikisht, shpirtërisht, shoqërisht, dekadentizmi i vlerave të kësaj shoqërie duket sikur ka prekur fundin dhe një shpresë iluzore menjëherë pason pa e kërkuar gjatë: në qoftë se ky është fundi i bie që ajo duhet të ringrihet. Kjo shoqëri duhet të rikërkojë vlerat e saj që të mos shkojë në vetëasgjësim.

Ermira Hila, Anëtare e këshillit të AGSH.

Tiranë, 8 shkurt 2019

Mjaft më krahasove – MSc. ARILDA DUSHAJ

MSc. ARILDA DUSHAJ

Psikoterapiste Grupi

Koordinatore Anëtarësi, Analiza e Grupit në Shqipëri

Shpeshherë na ka ndodhur që prindërit tanë, familja, apo edhe mjedisi social të na përfshijë në krahasime të vazhdueshme me persona të tjerë. Që foshnje, prindërit përdorin krahasimin e fëmijës së tyre me të tjerë, si stimulues pozitiv në të veshur, në të ushqyer apo në sjellje. Kështu, dëgjojmë nënat të shprehen: “Haje të keqen nëna, shikoje gocën e vogël ta kaloi”, teksa përpiqen të ushqejnë fëmijën e tyre. Më pas fëmija rritet dhe ekzistojnë modele të tjera krahasimi, duke u fokusuar në arritjet akademike, në talentet e fëmijës apo edhe në performancën sociale. Shprehi të tilla si: “Çfarë note more në provim?- 10. Po shoku yt çfarë mori?”, “Pse nuk arrin dot të jesh e shkathët si vëllai yt?!”, “Vajza e fqinjës X mori pjesë në olimpiadën e matematikës, po ti pse nuk je dot si ajo?” apo “Pse nuk mund të jesh sociale ashtu si ka qenë motra jote?”, janë shumë të zakonshme teksa rritesh.

Mbështetur në këto krahasime që të bëhen, merr mesazhin që ekziston gjithmonë dikush i cili ka aftësi më të mira, është më i shkathët, më i zgjuar, më social apo më i talentuar se ty. Kështu, lufton për të arritur këto ideale të krijuara nga krahasimi ndër vite, dhe përpiqesh ti realizosh ato me çdo kusht, pa  njohur dhe pa kuptuar kapacitetin vetjak, dëshirat dhe qëllimet jetësore. Madje, krahasimi bëhet stil vetjak i të funksionuarit, duke e përdorur si një matës të arritjeve apo dështimeve në jetë, duke humbur kështu vetveten, unikalitetin dhe identitetin vetjak. Pra, nëse merr aftësitë e personave të tjerë dhe i krahason me dobësitë e vetes, si mund të përparosh në jetë dhe si mund të vlerësosh veten? Sa mundësi ka që të ndihemi mirë nëse vetëm krahasohemi me të tjerët? Krahasimi nuk është gjë tjetër vetëm një recetë drejt vetëvlerësimit të ulët dhe mungesës së lumturisë.

Çdo krahasim i bërë ndaj fëmijëve ndikon negativisht në mirëqenien e tyre psikologjike dhe sociale. Nëse ka gjithmonë të tjerë që sillen apo i arrijnë gjërat më mirë se ai, fëmija fillon të besojë se nuk është mjaftueshmërisht i mirë dhe vë në pikëpyetje vlerat e tij. Ata mund të fillojnë të mendojnë pse nuk arrijnë dot rezultatet, ashtu si fëmijët e tjerë me të cilët janë krahasuar duke dyshuar mbi aftësitë e tyre. Ky vetë-dyshim ndikon në një vlerësim të ulët të vetes dhe në besimin se janë të paaftë për të arrirë disa gjëra të caktuara. Rrjedhimisht, në një nivel të lartë stresi për fëmijën,  i cili ndikon në mirëqenien psikike të tij.

Më lejoni t’jua demonstroj me shembuj personal ndikimin e krahasimit që fëmijë dhe instalimin e kësaj skeme thellë në identitet edhe gjatë jetës. Mua më kanë krahasuar në mënyrë direkte dhe indirekte me vëllain tim, përsa i përket arritjeve akademike. Pyetja klishe dhe shumë e parashikueshme e të gjithë personave që njihja dhe atyre që sapo i njihja ishte: “Si po të shkon shkolla? Po mëson si… (theksonin emrin e vëllait)?” Ai ka qenë ekselent dhe si rrjedhojë mendjet sociale presupozonin se unë nuk do bëja përjashtim. Mirëpo, ndonëse mund ta kem mohuar apo minimizuar pasojat e këtij krahasimi, eksperienca e mëvonshme akademike thekson të kundërtën. Kjo sepse, të qënit e arrirë apo me rezultate të larta ishte kusht personal dhe njësova aftësitë e mia me rezultatet akademike. Ku edhe nëntat që merrja ishin tmerriii vetë!!

Një nga shpjegimet që personalisht më është dhënë për krahasimin e bërë nga prindërit ndaj rezultateve akademike ishte rritja e sensit të konkurrencës, e cila më pas do ndikonte pozitivisht në ambicie apo në motivim. Shpjegim, i cili kundërshton në çdo fjalë vetveten. “Të motivosh fëmijën, duke e shkatërruar së brendshmi” apo “Të rrisësh ambiciet te fëmija për të qenë më i mirë, duke i theksuar vazhdimisht sa i dobët është”, nuk kontribuon në një individ të arrirë dhe të lumtur.

Krahasimi është hajduti i gëzimit”– ka thënë Roosevelt. Prandaj, prindër të dashur vlerësoni unikalitetin e fëmijës tuaj, vlerësoni aftësitë e tyre, gëzohuni me arritjet e tyre pa pasur nevojë t’i matni ato me të tjerët. Thjesht, besoni në fëmijën tuaj dhe lëreni të lirë!

Më dëgjo – MSc. ARILDA DUSHAJ

MSc. ARILDA DUSHAJ

Psikoterapiste Grupi

Koordinatore Anëtarësi, Analiza e Grupit në Shqipëri

Kur ka qenë hera e fundit që keni ndjerë se jeni dëgjuar nga të tjerët? Kur ka qenë hera e fundit që jeni përfshirë në një bisedë të thellë, të hapur apo të sinqertë? Ose kur ka qenë hera e fundit që jeni ulur dhe keni dëgjuar realisht dikë tjetër?

Në shumicën e rasteve përgjigjia e këtyre pyetjeve është shumë kohë më parë ose në një ekstremitet tjetër, asnjëherë. Kështu, Arti i të dëgjuarit është një art që po e humbasim përditë dhe më shumë. Një nga nevojat bazë të qenies njerëzore është të qënit i dëgjuar aktivisht nga të tjerët në mënyrë që, të krijohet një ndjenjë kuptimi, thellësie apo empatie. Te çdo njëri nga ne ekziston një nevojë e lartë për të qenë i dëgjuar, për të kuptuar pikëpamjet personale dhe mënyrën sesi te tjerët përreth nesh konceptojnë gjërat. Të tregojmë historitë, ngjarjet e jetës sonë dhe impaktin e tyre në identitetin tonë, në mënyrë që të kuptojmë perspektivat sesi të tjerët shohin botën dhe se si krijojnë marrëdhënie ndërpersonale. Të qenit i dëgjuar apo të ndjerit se sado përpiqesh të shprehesh botëkuptimin tënd, nuk po kuptohesh nga të tjerët është një nga çështjet më thelbësore problematike në dinamikat familjare, marrëdhëniet sociale, mjediset e shkollës apo ato të punës.

Ai ose ajo që dëgjon zërin e shoqes apo shokut, zërin e gruas ose bashkëshortit, zërin e fëmijës së vet dhe nuk arrin të dallojë mesazhin që përcjell toni i zërit të tyre: “Më ndihmo”,“Kujdesu për mua”, “Jam këtu, më kushto vëmendje”, ka dëgjuar por realisht nuk ka kuptuar. Në momente apo situata të tilla nga thellësia e shpirtit të vjen të bërtasësh: “Sikur dikush të më dëgjonte”! Problemi qëndron në faktin se nuk dëgjohet për të kuptuar tjetrin, por dëgjohet për të reaguar ndaj materialit që ai komunikon. Kështu, ne supozojmë, gjykojmë, vlerësojmë, nxjerrim konluzione apo japim këshilla. Ku nevoja e personit përballë është thjesht ti kushtosh vëmendje, ta dëgjosh dhe të përpiqesh ta kuptosh duke qenë aktivisht aty për të.  

Kjo pasi çdo individ komunikon dhe shprehet bazuar në historinë e tij personale, eksperiencat, impresionet, besimet dhe vlerat vetjake. Kur ky person flet, është ai ose ajo që po flet dhe jo një gjenerator mekanik fjalësh pa kuptim. Pas fjalëve të tij është një qenie njerëzore, i cili jeton dhe dashuron, mëson dhe fal, qesh dhe qan.

Të dëgjosh kërkon që të jesh human. Kërkon që të ulesh përballë tjetrit, të harrosh veten me perceptimet vetjake për aq kohë sa të jetë e nevojshme, në mënyrë që të krijosh një mjedis kuptimplotë me tjetrin. Kjo pasi nuk mund të jesh një dëgjues i mirë dhe sërish të kesh të drejtë. Si dhe ekziston një diferencë e madhe mes të dëgjuarit tjetrin dhe të presësh radhën për të komunikuar pikëpamjen tënde.  Kështu që, Just listen!

Maskat e jetës së përditshme dhe ankthi – MSc. ARILDA DUSHAJ

MSc. ARILDA DUSHAJ

Psikoterapiste Grupi

Koordinatore Anëtarësi, Analiza e Grupit në Shqipëri

Teksa po mendoja se çfarë të ndaja sot me ju, kuptova që po përjetoja presion nga nevoja ime për të bërë përshtypje me këtë shkrim. Por ndaj kujt po e ndjeja këtë nevojë? Ndoshta, presion për të ruajtur imazhin e njëvajze  të aftë dhe të arrirë, e cila në çdo detyre apo aktivitet që ka kontribuar ka pasur sukses. Ndërkohë, harroj se sa e lodhshme dhe frustruese është të performosh, kjo sepse realisht unë shtyp veten, ndjenjat, emocionet dhe mendimet e mia, duke u munduar të krijoj diçka të pëlqyeshme për të tjerët. Dhe sa ekziston mundësia që kjo të ndodhë?Apo çfarë çmimi duhet të paguajë dikush për këtë?

Me gjithçka të lartpërmendur i referohem të ashtuquajturave maska të jetës së përditshme, që gjithësecili prej nesh i përdor për të mbuluar ndjesitë, emocionet, mendimet, nevojat, frikërat personale, në mënyrë që të pranohet nga shoqëria. Nevoja për tu pranuar nga grupet shoqërore rrit ankthin e performancës, prandaj e gjejmë veten duke u sjellë gjithnjë e më shumë larg natyrës sonë dhe duke shtypur gjithnjë e më shumë stresin që përjetojmë. Si për shembull, nëse ndihemi të pasigurt në vete, mund të fshihemi pas maskës të të qenit indiferent, nëse ndjejmë që mjedisi rrethues nuk na do mund të fshihemi pas një maske zemërimi. Ne maskojmë borxhet që marrim për të mbuluar stilin e jetës që nuk e përballojmë dot, sillemi sikur kemi punën ideale edhe pse nuk jemi të kënaqur aty, hiqemi sikur kemi një martesë të shëndetshme edhe nëse jemi në prag të divorcit.

Këto maska janë unike dhe të ndryshme te çdo individ në varësi të karakterit, kushteve sociale, grupeve që bëjmë pjesë apo konteksteve në të cilat zhvillohemi. Në këtë mënyrë sillemi ndyshe nga ajo çfarë ndjejmë ose mendojmë, duke mohuar dhe shtypur veten tonë reale, identitetin tonë, vetëm për tu pranuar nga mjedisi social. Një mjedis që vepron sipas disa standarteve ideale në të kuptuarin e dualitetit “sjellje e përshtatshme përkundrejt asaj jo e përshtatshme”“çfarë është e drejtë kundrejt çfarë është e gabuar”, apo “çfarë është morale ose jo”. Stresi që përjetojmë nga shtypja e ndjenjave si rezultat i këtyre kushtëzimeve, ka impakt të fuqishëm tek mirëqenia jonë fizike dhe mendore, kjo pasi ndikon drejtpërsëdrejti te balancat hormonale të organizmit tonë dhe si rrjedhojë bëhet shkaktar potencial i shumë sëmundjeve  mendore dhe fizike. Kështu, duke mohuar ndjenjat apo emocionet dhe duke vepruar në mënyrë të pranueshme për shoqërinë, trupi ynë gjen gjuhën e komunikimit nëpërmjet ankthit, stresit dhe frustrimit.

Të heqësh maskën kërkon guxim dhe një nga frikërat më të mëdha është të qënit i ekspozuar ndaj të tjerëve. Pra frika se nëse tregojmë veten tonë reale dhe bota do të thoshte: “Oh qenke vetëm ti!“. Kur në të vërtetë, të jesh vetvetja është gjëja më e drejtë, më e bukur dhe më përfekte që mund të ekzistojë. Ashtu siç ka thënë edhe Oscar Wilde: “Be YOURSELF, everyone else is taken.”

 

Një hap përpara, dy mbrapa… – MSc.Arela Çarku

Qëndroj e ulur në një kafene pranë fakultetit dhe rri e vëzhgoj studentë që më vrullshëm futen nëpër kafene sesa nëpër auditore. Teksa i vëzhgoj dhe i shoh që hedhin hapa përpara, mendoj që njëkohësisht po ecin dhe mbrapa. Madje do thoja më shumë hapa bëhen mbrapa dhe kjo disi vërehet nga entuziazmi i të qenurit në kafene dhe nga adrenalina e të lënit e leksioneve. Po unë çfarë po bëj këtu ? Të njejtën gjë sikurse bashkëmoshatarët e mi. Po shijoj një kafe të mirë dhe i jam arratisur një ore leksioni. Sikurse ata dhe unë mendoj që s’kam humbur ndonjë gjë të madhe. Duket ironike, por kjo është një e vertetë e sistemit tonë i cili predikon lirinë e studentit por ndëshkon mendimin e lirë.

Kjo gjë s’më duket e panjohur. Në fakt kujtoj këtu fëmijërinë e vonë ku gjithë gëzim prisja të shkoja në shkollë. Ja pra hodha një hap përpara drejt zhvillimit tim dhe aty u përballa me pyetje të tilla si: Më thuaj mendimin tënd për këtë gjë? Hë si mendon nga se ka dalur ky rezultat? Dhe unë ngrihesha dhe thoja mendimin tim. Përgjigja ishte: Ulu, e the gabim. Nuk është kjo gjë. Mundësisht më jepnin dhe ndonjë vleresim negativ mbrapa: Ulu aty, ke 4 për sot. Ti gjasme sikur mëson, se prisja këtë gjë nga ti. E përse nuk e prisje nga mua?! Por t’i më thoje që do mendimin e xhaxhit apo zonjës X dhe unë kisha kënaq pritshmëritë e tua. Ja pra që këtu nisin hapat nga mbrapa. Hapa të cilat mbartin hijen e zhgenjimit, e vetvlersimit të ulët, e stepjes, e ambicjes boshe dhe të një konkurence të pakuptimtë me disa standarte fikse. E si mundem unë të zhvilloj mendimet e mia, kur më kërkohen të mësoj përmendësh mendimet dhe gjetjet e dikujt tjetër. Si mundem unë të zhvilloj një identitet timin kur që në fëmijëri më mësohet ndjekja e një ideali dhe kornizave fikse.

Më e bukura është se teksa rritesh gjithmonë je në përpjekje për të zhvilluar veten tënde. Hapat përpara vijojnë dhe besimi për një të ardhme më të mirë është gjithmonë brenda teje. Mirëpo, në momentet më të vështira dëgjon shprehje të tilla si : Askush nuk do të ngjitet në kurriz, nëse ti nuk përkulesh ! Unë jam dakort me këtë gjë, por a nuk është paksa vonë dhe kurrizi im është përkulur që në momentet kur më ke krahasur me të tjerë, që kur më the se mendimi im është gabim, që kur më paragjykove prej adrenalinës së adoleshencës dhe e gjykon lirinë si fyese të standarteve sociale. Tashmë unë jam bërë pjesë e teatrit të jetës dhe nuk mund të qëndroj thjesht spektator sepse do paguaj për shfaqjen, të paktën luaj ndonjë rol dhe paguhem. Kështu unë shoh rininë e sotme teksa mbush faqet e rrjeteve sociale me kërkesa për punë, ndonëse kanë mbaruar universitete. I shoh teksa mbushin karriget e Call Center pasi realisht fitohet më shumë sesa nga një pseudo punë prej shkollës së marrë. Lexoj me mijra komente nëpër linket e emigracionit dhe mijra lutje që të dalë Llotaria Amerikane. Kot nuk thonë secili për veten dhe Zoti për të gjithë.

Të ecësh me hapa përpara këtu tek ne, më jep të njejtën ndjesi si nëpër ëndrra ku sa më shumë do të ecësh vrap apo të arrish diku sikur mezor ecën, apo rrëzohesh dhe nuk arrin dot në dentinacion. Në endrra nuk e di pse më ndodh kështu, por në realitet më kërkojnë eksperiencë pune porsa kam mbaruar shkollën, më kërkojë çertifikime e trajnime që në moshën 22 vjeçare, vendosin disa standarte praktike ku realisht nëpër fakultete praktika ka emigruar përpara meje dhe teoria flet nëpër ëndrra. Edhe pse titullin e këtij shkrimi e kam vendosur “Një hap përpara, dy hapa mbrapa”, ndonjëherë ( për të mos thëne shpesh-herë) këtu tek ne është: “Një hap përpa, dy mbrapa dhe numëro në vend”.

MSc.Arela Çarku

Psikologe Klinike

Psikoanaliste Grupi

Sekretare e Përgjithshme-Analiza e Grupit në Shqipëri

Kurthi i shoqërisë – MSc. Arela Çarku

Ne jemi të huaj ndaj vetvetes, ne që arrijmë të njohim gjithçka, nuk njohim vetveten, dhe kjo ka një shkak të rëndësishëm. Ne biem në kurth. Në kurthin e gjykimit dhe përgjithësimit !

Shoqëria e ditëve të sotme po orientohet gjithnjë e më shumë drejt pavarsisë personale. Synon largimin e parimit kolektiv dhe po përpiqet të zhvillohet brenda potencialeve vetjake. Mirëpo, çdo hap personal shoqërohet nga hapat e shumta të hijeve shoqërore, dhe çdo vendim i zbatuar pasohet nga gjykimet ndërshoqërore (familja, fisi, lagja dhe me shumë mundësi edhe nga persona që nuk të njohin aspak). Ti komentohesh, unë komentohem dhe bashkarisht pohojmë me indiferentizëm që : “ Nuk ka rëndësi së çfarë mendojnë të tjerët për mua”!

Sa më pëlqen ky pohim. Më pëlqen toni me të cilin shqiptohet, më tërheq mimika e cila e shoqëron dhe mbi të gjitha më kënaq postura plot vetbesim që shfaqet. Por tek ky pohim, të gjithë ne harrojmë të lexojmë atë që ndjehet. Mua më pëlqen ta përkufizoj si gjuha e harruar. E quaj të tillë sepse të gjithë ne harrojmë të pyesim apo të shprehim sesi ndihemi kur na komentojnë, sesi ai koment mund të ketë ndikuar në ndjenjat tona, në imazhin tonë për veten apo edhe në vetëvlerësimin tonë.

Kështu postura, mimika, toni dhe mundësisht edhe buzëqeshja me indiferentizëm shpërthejnë haptazi duke thënë “Mjaft”. Në të njejtën kohë kërkojnë edhe të kuptojnë “ Përse”. Pikërisht këtu biem në kurthin e përemrin pronor (Ne). Ky përemer na bashkon dhe na grupon në kategorinë e të komentuarve, si për mirë ashtu edhe për keq. Na etiketon dhe na kategorizon. Mirëpo, si qënie egoiste ne synojmë ti shpëtojmë këtij fenomeni (sidomos kur gjykimi është për keq) dhe kështu bashkohemi me grupet në të cilat besojmë se i përkasim dhe luftojmë për të mbajtur të fortë imazhin tonë për veten. Sepse për ne është bëre e zakonshme ta perceptojmë veten tonë me sytë e njerëzve që na rrethojnë. Kështu, duke dashur t’i shpëtojmë gjykimeve ne luftojmë për ndryshimin e gjykimit. Mendojmë se po ndryshojmë, por në fakt biem në kurthin e shoqërisë. Ne bëhemi ata dhe ata bëhen ne.

Më lejoni të përdor veten si shembull dhe të ju them se nga një shpirt rebel u shndërrova në një patriote të rregullave sociale. Energjia ime, dëshira për eksplorim, nevoja për adrenalinë u gjykuan dhe komentuan nën termin popullor “ Çapkëne ”. Indiferentizmi im nuk mundi t’i rezistonte pyetjeve të tilla si Përse të më gjykojnë? Çfarë kam unë? Kështu, sjellja ime u orientua drej vërtetimit se ata e kishin gabim dhe fytyra më buzëqeshte teksa mendoja: “ Le të më komentojnë tani po ia mbajti”.

Mirëpo, ndaj kujt po fitoja unë? Ndaj askujt. Në fakt po humbisja dhe pranoj që humba shumë. Humba spontanitetin, zëvendësova kuriozitetin me frustrimin, mërzia zuri më shumë vend se gëzimi dhe nervat dolën jashtë kontrollit. Treni i acarimit doli nga shinat dhe jeta e përditshme u kthye në stres. Stresi të rraskapit dhe vetëm atëherë kuptova që mbi të gjitha unë humba një pjesë të vetes. A ia vlen kjo gjë?

Unë kam nevoj të njoh veten. Kështu unë nuk e njoh dot veten, madje dëmtohem. Ashtu si unë, dëmtohesh edhe ti. Sepse sikurse unë rash në kurthin e përemrit pronor “Ne” mund të biesh edhe ti duke u shkrirë dhe bërë një me shoqërinë. Mund të zgjedhësh dhe të izolohesh apo dhe t’i kundërvihesh, por më beso sërisht je në kurth. Ne nuk mund të luftojmë në këtë mënyrë me shoqërinë sepse ne jemi terësia. Jeta është një dukuri e tërë, bashkësi e pandashme dhe ne s’mund të jemi ndryshe.

Le të mësojmë të dëgjojmë njeri-tjetrin. Të flasim, kuptojmë dhe pranojmë nevojat tona. Ta njohim forcën tonë dhe të mos e përdorim atë si burim shkatarrues, por si fuqizues. Mendja e shëndoshë nuk kërkon vetëm një trup të shëndoshë, por edhe një funksionim të mirë shoqëror.

Pranoni vetveten dhe provoni të vishni këpucët e njëri-tjetrit. Mund të jetë shumë më e lehtë të dëgjosh sesa të gjykosh !

MSc.Arela Çarku

Psikologe Klinike

Psikoanaliste Grupi

Sekretare e Përgjithshme-Analiza e Grupit në Shqipëri